Politike

PD: Lefter Alla, pasqyra ku mund të shohim Edi Ramën

Partia Demokratike kërkon ndjekjen penale ndaj kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, i cili dyshohet se është personi që shfaqet në një video që po qarkullon në media dhe publik, duke konsumuar në dukje lënë narkotike kokainë.

Rasti në fjalë, sipas PD-së, provon edhe degradimin e Partisë Socialiste, që sipas opozitës është shndërruar në një bandë trafikantësh dhe përdoruesish droge.

“Edi Rama i Bulqizës duhet të ndiqet penalisht për moskallëzim krimi ndaj atyre që i kanë siguruar kokainën. Përdorimi i kokainës në ambiente publike nga Edi Rama i Bulqizës provon, për fat të keq, degradimin e Partisë Socialiste nga një parti politike në një bandë trafikantësh dhe përdoruesish droge. Është kjo arsyeja pse të rinjtë e mirëshkolluar dhe shqiptarët e ndershëm kanë humbur besimin dhe kërkojnë të largohen nga Shqipëria”, thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike.

PD thotë se kandidimi i personave me të shkuar kriminale, apo të lidhur me krimin e organizuar nuk është bërë pa vetëdije nga Edi Rama, përkundrazi.

“Kandidimi në 30 Qershor nga Edi Rama i individëve me të shkuar kriminale, apo personave të lidhur me krimin e organizuar ka qenë strategji e Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin. Video shokuese e kryebashkiakut ilegjitim të emëruar nga Edi Rama në Bulqizë, është modeli që ofron ai në qeverisje. Lefter Alla është pasqyra ku të gjithë mund të shohin Edi Ramën e kokainës”, vijon deklarata e Selisë Blu.

PD bën përgjegjës politik e ligjor Edi Ramën, pasi ka në dorë shkarkimin e mënjëhershëm të Lefter Allës dhe është e bindur se shkëputja e politikës nga krimi si emergjencë kombëtare realizohet vetëm me largimin e Edi Ramës.

“Ndarja e politikës nga krimi është emergjencë kombëtare! Largimi i trafikantëve dhe përdoruesve të drogës nga politika është hapi kyç për t’i hapur rrugë një qeverisje normale në Shqipëri dhe për të kthyer besimin tek të rinjtë se meritokracia dhe jo lidhja me krimin janë mundësia për të bërë karrierë. Kjo ndodh vetëm me largimin e Edi Ramës, njeriut të kokainës që promovoi bashkëqeverisjen me krimin dhe qëndron në pushtet me mbështetjen e krimit”, mbyllet deklarata e PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë