Politike

PD për reformën zgjedhore ve kusht zgjedhjet e parakohshme

Partia Demokratike ka paraqitur për herë të parë propozimet e saj për reformën zgjedhore, duke kërkuar qeveri teknike dhe zgjedhje të reja. Opozitarët kërkojnë në letër që 100 ditë përpara datës së zgjedhjeve të krijohet një qeveri teknike ku Ministri i Brendshëm të caktojë edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.

Paraditen e sotme u mblodh Këshilli Politik së bashku me ekspertët e ODIHR të cilët dëgjuan propozimet e opozitës jo-parlamentare për administrimin e procesit zgjedhor.

Ndonëse është reformë zgjedhore, propozimet PD-së nuk kishin të bënin me Kodin Zgjedhor por me ligje të tjera.

PD kërkon që të shihet mundësia që shkeljet zgjedhore të konsiderohen si shkak për pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

Sipas PD, skema e cila duhet të implementohet lidhur me rolin e policisë duhet te jetë totalisht e ndryshme nga situata aktuale.
“Në kushtet aktuale kur policia ‘është larguar’ në mënyrë distante nga përfshirja në procesin zgjedhor ka ardhur një fenomen të ri. Atë sipas të cilit policia është e përfshirë në procesin zgjedhor por jo si një fluks që pozicionohet si ruajtës i rendit apo edhe agjent i policisë gjyqësore për parandalim dhe procedim të krimeve. Është pozicionuar si e përshirë në zgjedhje duke bërë vota për qeverinë. Një pozicionim që asnjëherë më parë nuk ka qenë i njohur për policinë as në situatat më ekstreme. Në këtë kuptim roli i saj duhet ridimensoinuar. Nga një pozicion antiligjor, okult, duhet nxjerrë në dukje veprimtaria e saj dhe duhet vendosur në pozicion monitorimi, duke mos e lejuar të abuzoje në këtë pozicionim të ri”, deklaron PD.

Aleksandër Biberaj, Gazeta Si, 2020

Sipas Partisë Demokratike, Shqipëria do të shkojë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme. Anëtari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike Aleksandër Biberaj deklaroi sot se shumë shpejt Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.“Unë them se do të kemi zgjedhje të parakohshme, shumë afër do të jetë. Madje, do kemi edhe zgjedhje lokale njëkohësisht. Mendoj se kjo do vijë sapo të përmbushet Reforma Zgjedhore. Në rast se maxhoranca nuk pranon, do të kemi protesta, që të detyrojmë qeverinë që të krijojë qeveri tranzicioni", tha Biberaj.

Krahas kësaj, një draft tjetër i demokratëve saktëson kompetencat e Prokurorisë përsa I përket rolit të saj në hetimin e krimeve Zgjedhore.

Drafti në fjalë kërkon që 2 javë pas caktimit të datës së zgjedhjeve, pra rreth 9 muaj përpara ditës së votimit, Prokurori i Përgjithshëm të hartoj një urdhër të veçantë për hetimin e krimeve zgjedhore ku objekt të punës do të ketë edhe verifikimin e kandidatëve në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Propozimi kërkon që krimet zgjedhore të hetohen nga SPAK dhe të gjykohen nga Gjykata e Posaçme anti-korrupsion.

Por këto propozime të demokratëve duket se nuk u pranuan nga Partia Socialiste. Damian Gjiknuri pasi dëgjoi propozimet e PD doli në një prononcim ku dha edhe qëndrimin e tij.

“Atë që nuk mund të fitosh luftë nuk mund ta marrësh në letër”, u shpreh deputeti socialist.

Pavarësisht kontradiktave, kjo ishte hera e parë që PD paraqet propozimet e saj zyrtare për sa i përket reformës zgjedhore, të cilat do të rishqyrtohen sërish nga këshilli politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë