Politike

PD kundër komisionerëve jopolitikë në procesin zgjedhor

Drafti i ri ekspertëve për depolitizimin e KQZ dhe të komisioneve zgjedhore u diskutua sot në mbledhjen e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Në këtë paketë, anëtarët janë njohur me propozimet e ekspertëve Gumi dhe Rusmali që parashikojnë që partitë politike të mos kenë të drejtën që të kenë komisionerë në nivelet e dyta dhe të treta, si dhe të mos kenë përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Pas mbledhjes bashkëkryetari socialist Damin Gjiknuri u shpreh se me këtë nismë të propozuar partitë politike nuk do të kenë fare ndikim në procesin zgjedhor.
“Ka ardhur koha për një sistem të depolitizuar. Njerëzit do të marrin pjesë në trajnim më pas do të zgjidhen me short, procesi do të jetë revolucionuar, do të japë rezultate dhe përbën një risi. Sot u përqendruam nga skema e KQZ-së te njësitë e qendrave të votimit. Synimi ka qenë të ndahet administrimi zgjedhor, totalisht e shkëputur nga partitë dhe rregullat. Mbledhja tjetër do të zhvillohet javën tjetër, pasi deputetët kërkuan më shumë kohë për diskutime”, tha Gjiknuri pas mbledhjes. Ndërkohë socialisti u shpreh i hapur për propozimet që do të vijnë nga ana e Partisë Demokratike, ku u shpreh: “Ne presim çdo lloj propozimi nga PD-ja do të zhvillojmë edhe një seancë të hapur si javën e kaluar, PD-ja është pjesë integrale e këtij komisioni. Po presim propozimet e PD-së, nëse do të zgjedhim një skemë miks për depolitizimin mbetet për t’u diskutuar jashtë dhe brenda komisionit. Kam një mandat parlamentar, do e përmbush, mbase do e shtyjmë afatin sërish”.

Damian Gjiknuri, deputeti i PS-së që drejton komisionin e reformës zgjedhore. Gazeta "Si", 7 nëntor 2019


Duke shtuar se do të ishte gjë e mirë nëse PD-ja do të ishte dakord nëse merren parasysh propozimet e opozitës jashtë Parlamentit, Gjiknuri nuk përmendi në asnjë pikë kërkesën e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit. Demokratja Rudina Hajdari u shpreh se nisma e paraqitur nga ekspertët kërkon ndryshimin e ligji për “Nëpunësit Civil”. “Përgjegjshmëria e komisionerëve do të jetë e lartë, duhet të japin llogari mbi punën e tyre. Do të kemi një mbledhje tjetër për tu marrë me draftin e dytë. Ndryshimi i sistemit është një pikë e rëndësishme, kryesisht për opozitën. Ajo që po ndodh sot po bëhet e gjitha për qytetarët, ata duhet ta kuptojnë. Le të shkojmë përpara për të parë këtë arkitekturë të re për zgjedhjet. Do ketë përsëri takime me shoqërinë civile dhe me aktorët politikë. Drafti i parë në takimin me shoqërinë civile kishte mangësi. Ka rënë besimi tek institucionet e Shqipërisë, ne duam ta rregullojmë këtë. Duam një ndryshim tërësor të mënyrës se si administrohen zgjedhjet”, tha Hajdari.

Deputetja demokrate, Rudina Hajdari, Gazeta Si, 7 nëntor 2019


Por propozimet e ekspertëve komisionit për ndryshimin e administrimit të proceseve zgjedhore, duke hequr dorë anëtarët partiakë kontestohet nga Partia Demokratike. Gazment Bardhi në një reagim për median thekson se kjo është skemë e Ramës për të kontrolluar procesin zgjedhor. “Ai synon të sanksionojë me ligj standardin e 30 Qershorit, ku administroi i vetëm procesin. Këtë qëllim ka edhe propozimi i PS që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit nën varësinë e Edi Ramës. Administrata publike është e pabesueshme për të administruar një proces zgjedhor me standarde europiane. Raporti i ODIHR-it ka provuar se punonjësit e administratës janë nën presion politik, si dhe është bërë e qartë se ajo është e mbushur me militantë të Partisë Socialiste. Përgjimet e dosjes 339 në Durrës dhe 184 në Dibër kanë sjellë fakte të pamohueshme se administrata, në kundërshtim me ligjin, është në shërbim të Edi Ramës, në përmbushje të objektivit për të vjedhur zgjedhjet”, theksoi Bardhi.

Faksimile e raportit të ODIHR i botuar si reagim i sekretarit të PD-së, Gazmen Bardhi. Gazeta Si, 7 nëntor 2019


Ai thekson se makinacionet e Edi Ramës që bëjnë sikur depolitizojnë trupën që administron zgjedhjet, por në të vërtetë, ruajnë kontrollin e plotë të kryeministrit ne proces, janë të papranueshme. Ato janë kundër interesit publik për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Propozimi i Edi Ramës që zgjedhjet t’i administrojnë vartësit e Edi Ramës në shërbimin publik, do të thotë që zgjedhjet të lihen në dorë të Arben Keshit, i cili u përfshi në masakrën elektorale në Dibër, ndërsa ishte Drejtor në Ministrinë e Brendshme; në dorën e Ivo Docit, përgjegjësit të Ujësjellësit, i cili urdhërohej nga Avdylajt për të identifikuar punonjësit që votonin për PD dhe t’i kërcënonte ata me largim nga puna. Lista bëhet e gjatë me dhjetëra e qindra raste të identifikuar edhe nga OSBE/ODIHR, që provojnë se kjo është një administratë thellësisht e politizuar”, thekson Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë