Politike

PD kërkon votim e numërim elektronik. PS, Gjiknuri: Të hapur, por do konsultohemi

Partia Demokratike kërkon futjen e teknologjisë në zgjedhje në të gjitha proceset: që nga identifikimi, marrja e gishtave, votimi dhe numërimi elektronik. Kjo paketë propozimesh për opozitën është për të shmangur manipulimet në procesin zgjedhor,  bllokon që zgjedhësit të votojnë dy herë, shmang manipulimin e votës nga grupet eë numërimit të vota që janë dominuar nga partitë politike.

PD propozon është që të ketë dy sisteme të ndara; sistemi i identifikimit dhe i votimit por të ndërlidhura të dy me një sistem qendror që do të bëjë dokumentimin në fund. Kjo mënyrë do të zbulonte nëse një shtetas mund të tentojë të votojë dy herë në qendër votimi.

Për të qenë të sigurt për identifikimin e votuesve në qendrën e votimit, verifikimin dhe parandalimin e votimit të shumëfishtë në të njëjtën qendër votimi ose në qendra të ndryshme, PD propozon që të ndërtohet sistemi elektronik i identifikimit në vijim EPB (Electronic Poll Book), i cili identifikon zgjedhësin në qendrën e votimit nëpërmjet dokumentit të identitetit dhe të dhënave biometrike, përfshirë shenjën e gishtërinjve.

EPB do të ketë mundësi të kontrollojë me anë të pasaportës nëse është votues në listë që s’ka votuar ende dhe më pas: do të shfaqë në ekranin e EPB të gjithë te dhënat e identifikimit si dhe foton e votuesit ; do të lexoje gjurmët e gishtërinjve të votuesit; do të printojë një kupon verifikimi të procesit të identifikimit; do të sinjalizojë me dritë jeshile të dukshme për të gjithë komisionerët në QV dhe do të regjistrojë identifikimin dhe të dhënat biometrike në memorien elektronike. Me identifikimin e gjurmës së gishtërinjve do të eliminohet edhe nënshkrimi i zgjedhësve në momentin e votimit.

PS e hapur por kërkon kohë
Nisma e opozitës u diskutua në mbledhjen e Këshillit Politik. Socialistët kanë rënë dakord në parim për propozimin që fut teknologjinë në zgjedhje, por për të qenë të matur në këtë proces, thonë se kërkohet më tepër kohë për mënyrën e aplikimit të teknologjisë në të gjithë Shqipëri.  Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, socialisti  Damian Gjiknuri tha  në përfundim të mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore se nuk përjashtohet numërimi elektronik për shkak se ajo do të ndikojë edhe depolitizimin e komisionerëve. “Ne do të konsultohemi dhe me ekspertë dhe do të shohim si do ta përfshijmë këtë teknologji. Kjo është qasja që ka mazhoranca dhe qeveria. Nëse kjo është e realizueshme do bëjmë konsultimet e nevojshme por në parim, ka qenë që parimet t'i vendosim në ligj. Nëse kjo është e realizueshme, do bëjmë konsultime me organe të Këshillit të Ministrave, apo konsulencë ndërkombëtare. Në kërkojmë departizimin e qendrave të votimit. Një nga qëllimet që ne kemi pasur është edhe depolitizim i Komisioneve Zgjedhore dhe teknologjia ndihmon në këtë proces”, theksoi Gjiknuri.

Damian Gjiknuri, duke folur pas mbledhjes së Këshillit Politik. Gazeta "Si" 28 shkurt 2020

Opozita nëpërmjet demokratit Oerd Bylykbashi e cilësoi si të panegociueshme çështjen e teknologjisë në zgjedhje, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të mos lejuar futjen e duarve në proces, nëpërmjet vjedhjes votave.
“Kjo do të largojë “horrat zgjedhorë” që mbushnin kutitë e votimit. Nëse nuk trajtohet në këtë formë, probleme të tilla shqiptarët do të vazhdojnë t`i vuajnë. Propozimi ynë i sotëm është adresim i drejtpërdrejt i një rekomandimeve të ODIHR. Shpresojmë se do të kemi dakordësi që shqiptarët në qendrat e votimit të kenë mundësi të identifikohen në mënyrë të besueshme. Kjo do të ishte një hap i madh, që na çon më tej me depolitizimin e komisioneve zgjedhore”, theksoi Bylykbashi.

Bylykbashi
Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik. Gazeta "Si" 28 shkurt 2020

Për përfaqësuesin e LSI-së, Petrit Vasili futja e teknologjisë në zgjedhje e justifikon çdo kosto që mund të përdoret për realizimin e saj. Ndërsa Bylykbashi duke komentuar deklaratën e Gjiknurit theksoi se është ende herët të përcaktohet nëse PS e mban një qëndrim të tillë për të zvarritur kushtin e opozitës për teknologjinë në zgjedhje. Palët ndërkohë kanë rënë dakord që krimet zgjedhore të hetohen nga prokuroria e posaçme, SPAK.
.

Rudina Hajdari duke folur pas mbledhjes së Këshillit Politik. Gazeta "Si" 28 shkurt 2020

Përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari pas mbledhjes bëri të  ditur se ka paraqitur në tryezën e sotme një draft ku kërkon që kandidatët për deputet dhe për kryetar bashkie që të plotësojnë formularin nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Nëse pas verifikimit rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit ato duhet të mos lejohen nga KQZ për të kandiduar.
“Ka ardhur koha që ne ta hedhim këtë hap. Mendoj se ky është hap shumë i mirë dhe u gjet një dakordësi për këtë propozim. Kjo do të pastrojë njëherë e mirë politikën nga ata persona që kanë pasur gisht në internimin dhe vrasjen e shumë shqiptarëve gjatë regjimit komunist”, theksoi Hajdari.

Ndërsa në mbledhjen e së martës mësohet se do të diskutohet për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, një kërkesë “ultimative” e paraqitur nga ana e opozitës parlamentare në zgjedhje.

Sipas marrëveshjes politike të arritur ndërmjet palëve është vendosur që brenda 15 marsit të realizohet e gjithë reforma zgjedhore, duke paraqitur edhe draftin për t’u votuar në Parlament. Mësohet se palët janë pranë projekti final  ku pikat për t’u diskutuar ende  janë depolitizimi i komisioneve të nivelit të dytë apo të tretë, si dhe financimi i partive në fushat zgjedhore.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë