Politike

PD kërkon “kokën” e kryebashkiakut të ri të Shkodrës, Pjetri: I hapur për çdo verifikim

Prokuroria e Përgjithshme nuk ka dalë ende me një vendim zyrtar sa i takon kërkesës së Partisë Demokratike për të verifikuar figurën e kryebashkiakut të Shkodrës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri. Kërkesa është dorëzuar nga Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi.

Demokratët janë të bindur se Valdrin Pjetrit i ndalohet e drejta për t’u zgjedhur nga ligji i dekriminalizimit. Sipas tyre, ai rezulton i dënuar dhe dëbuar nga autoritietet italiane, ndërkohë që akuzojnë Kryeministrin Edi Rama për heshtjen në këtë rast.

“Heshtja po bëhet ves per Kryeministrin e pakicës. Pas Dakos, si koordinatori i vetëemëruar i Qarkut Shkodër, Edi Rama nuk po gjen justifikim për përzgjedhjen e Valdrin Pjetrit për të realizuar ambicien e mbetur nakel për të marrë Shkodrën. Shkodra ka pafund njerëz të mençur e profesionistë të zotë, edhe të majtë, por rrethi i përzgjedhjeve të Edi Ramës mbetet i njëjti: CV e pasur me histori problematike me ligjin, siç është rasti i Valdrin Pjetrit në Itali. Se përse Edi Rama përzgjedh gjithnjë individë të tillë, askush nuk ka më dyshime, se të tille i duhen! Heshtja edhe e prokurorisë për këtë rast duhet të marrë fund, e organi i akuzës duhet të bëjë detyrën e të hetojë figurën e Valdrin Pjetrit, kandidatit që pretendon bashkinë përmes një procesi monist nga i cili de fakto mori më pak se 5 për qind të votave”, deklaron Bardh Spahia nga PD.

Vetë Valdrin Pjetri ka shprehur gatishmërinë që të verifikohet nëse është subjekt i dekriminalizimit, por kërkoi që verifikimi të mos kryhet mbi bazën e indicieve dhe paragjykimeve publike.

“Askush më mirë së Institucioni i Prokurorisë së Pergjithshme nuk mund të kthejë përgjigje kërkesës së Z. Bardhi dhe çdo personi tjetër të interesuar apo kurioz, pasi institucioni i ngarkuar nga ligji për të kryer verifikimet e kërkuara të ketë kthyer zyrtarisht përgjigje, nga ana ime do ketë një prononcim publik mbi këtë kërkesë të z.Bardhi të bërë në emër të Partise Demokratike.” u shpreh Pjetri për “Balkanweb”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë