Politike

PD kërkon hetim nga SPAK për pasuritë e Ervin Bushatit

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Tiranës informacione mbi një denoncim të bërë që prej tetorit të 2018 ndaj deputetit socialist, Ervin Bushati, të cilin e akuzon për fshehje të pasurisë.

Në kallëzimin penal PD deklaronte se janë evidentuar prova nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme se deputeti Ervin Bushati ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pronësinë për 7 pasuri të paluajtshme.

Për dosjen në fjalë, Prokuroria e Tiranës vendosi po në tetor të 2018 pushimin e hetimeve dhe mosfillim të procedimit penal. Por,pak muaj më vonë gjykata e Tiranës e shfuqizoi këtë vendim dhe kërkoi prokurorisë që ta regjistronte kallëzimin e opozitës.

“Për këtë arsye, PD ka kërkuar informacion mbi fazën ku ndodhen hetimet dhe nëse Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas datës 19 Dhjetor 2019, ka shpallur apo jo moskompetencën dhe a i janë kaluar aktet Prokurorisë së Posaçme SPAK, duke qenë se shtetasi Ervin Bushati, është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe është subjekt hetimi nga SPAK”, deklaron PD.

Opozita hedh dyshime se Ervin Bushati nuk ka deklaruar pasuritë e paluajtshme në Tiranë, Qerret të Kavajës dhe Sarandë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë