Politike

PD: Kajmaku të shkarkohet, nuk dha shenjat e gishtave brenda afatit

Partia Demokratike vijon me sulmet dhe akuzat për rastin e Agim Kajmakut, kryebashkiakut të Vorës.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, në një dalje për mediat nga selia blu u shpreh se Prokuroria gënjeu për shenjat e gishtërinjve të Agim Kajmakut, në mënyrë që të mbrojë nga shkarkimi kriminelin e Ramës në Bashkinë e Vorës.
“Çështja e Agim Kajmakut, i arrestuar në Greqi dhe akoma në kërkim në shtetin fqinjë, ka demaskuar Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, si një vegël e pushtetit kriminal të Edi Ramës.
Arta Marku është kapur në flagrancë duke gënjyer shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur kriminelin e Edi Ramës në Bashkinë e Vorës nga dhënia e gjurmëve të gishtërinjve”, u shpreh Bardhi.
Bardhi deklaron se mashtrimi i Arta Markut u provua nga Posta e Tiranës.

Deklarata e Prokurorisë
Deklarata e Postës Shqiptare


“Në një rast të paprecedentë, Posta Shqiptare e përgënjeshtroi Arta Markun, e cila deklaroi dje se nuk i ka marrë shenjat e gishtërinjve të Agim Kajmakut, për shkak të postierit që nuk i ka gjetur adresën. Kjo është një gënjeshtër që nuk mund ta besojë as një fëmijë, sepse adresa e Agim Kajmakut, edhe pse nuk është e shkruar në formularin e dekriminalizimit, është botërisht e njohur – Bashkia e Vorës, 15 kilometra larg zyrës së Arta Markut.
Mashtrimi publik i Arta Markut për të mbrojtur kriminelin e Edi Ramës në Bashkinë e Vorës u provua si i tillë nga Posta e Tiranës, e cila ka deklaruar se ka të gjitha dokumentet që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin për të dhënë gjurmët e gishtërinjve në datën 29 gusht”, tha ndër të tjera sekretari i PD-së.
Bardhi bëri me dije se sipas ligjit të dekriminalizimit, kush nuk jep shenjat e gishtërinjve 5 ditë nga marrja e njoftimit, humbet menjëherë mandatin dhe shkarkohet.
“Ka një arsye pse Arta Marku është detyruar të gënjejë publikisht për të justifikuar mosdorëzimin e gjurmëve të gishtërinjve të Agim Kajmakut.
Sipas ligjit të dekriminalizimit, personi që nuk jep shenjat e gishtërinjve 5 ditë nga marrja e njoftimit, humbet menjëherë mandatin dhe shkarkohet nga funksioni shtetëror. Agim Kajmaku është në këto kushte. Afati taksativ që parashikon neni 8 i ligjit të dekriminalizimit është tejkaluar dhe prej datës 3 shtator, për shkak se nuk ka dhënë shenjat e gishtërinjve, Agim Kajmaku duhet të mos ishte më në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vorës”, tha ndër të tjera Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë