Lajme

PD i kthehet zv/kryeministres: Ku janë projektet për Shkodrën?

Deputetja e PD-së për qarkun e Shkodrës, Izmira Ulqinaku, në një dalje për mediat nga selia blu, ka reaguar pas deklaratave dje në foltoren e Kuvendit të zv/kryeministres Senida Mesi për hapjen e pikës së re doganore me Malin e Zi dhe projekteve për qytetin verior. Deputetja Ulqinaku shprehet se këto projekte nuk janë ende askund dhe nuk dihen hapat që do ndiqen nga qeveria.

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi tha dje ndër të tjera nga foltorja e Kuvendit se hapja e pikës së re doganore me Malin e Zi do ta kthejë Zogajn në një lagje të qytetit dhe Liqenin e Shkodrës në një aktraksion turistik dhe qendër të zhvillimit ekonomik rajonal. 

“Miratimi i hapjes së një pike të re kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në Zogaj, miratim i cili ishte një proces rutinë që përmbyllte marrëveshjen e dy vendeve të 2 korrikut, ka frymëzuar dje në Kuvend zv. Kryeministren Senida Mesi. Edhe pse është miratuar pika e kalimit kufitar dhe ende nuk janë përcaktuar hapat që do të ndërmerren më tej, apo se cilat janë investimet që do të bëhen, Zv. Kryeministria më në fund gjeti rastin dhe foli për projekte që do të zhvillohen në zonën e Shkodrës. Pas një periudhe heshtjeje, pasi nuk bëri zë për fondet thuajse zero për bashkitë e Veriut, pasi heshti për situatën ku kjo qeveri e ka zhytur këtë zonë, dje u fol për ide-projekte që prej 5 vitesh përmenden, por që nuk nuk kanë marrë as formën e projektit, dhe ku nuk është dhënë asnjë lek për to”, tha ndër të tjera Ulqinaku.

Gjithashtu, ajo fajëson qeverinë largimin e qytetarëve nga vendi.

“Qeveria e PS nuk do të mbahet mend si qeveria e shërbimit, por do të mbetet në histori si qeveria e dëbimit të qytetarëve. I kanë bërë shqiptarët të braktisin vendin e tyre si asnjëherë tjetër, sepse politika e vetme që njohin është aleanca me krimin, si burim parash, si mjet force dhe për blerje votash. Ndërsa Opozita dhe pikërisht PD ka qenë dhe vazhdon të jetë denoncuesja e të vërtetave të hidhura të ardhura nga keqqeverisja e Edi Ramës. Partia Demokratike ka pasur dhe vazhdon të ketë një qëllim dhe një vizion që na ndan kryekëput nga PS, jemi për një shoqëri të denjë, ku sundon ligji, dhe mirëqenie për të gjithë”, përfundoi deputetja demokrate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë