Lajme

PD i kërkon Qeverisë që të shpërblejë policët

Partia Demokratike i kërkon Qeverisë që të mbështesë financiarisht punonjësit e policisë, që kreu i opozitës, Lulzim Basha thotë se pas personelit mjekësor janë personat më të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit me koronavirus.

“Ashtu si çdo qytetar i këtij vendi jam dëshmitar për kushtet e vështira në të cilat ata po punojnë. Pas personelit shëndetësor, punonjësit e policisë janë në vijën e parë dhe ndër më të ekspozuarit ndaj rrezikut. Ata janë në shërbim me dhe pa orar në të gjithë vendin”, thotë Basha.

Veç thirrjes drejtuar Qeverisë që të vlerësojë me pagesa suplementare uniformat blu, Basha u kërkon edhe qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të mbështesin Policinë e Shtetit në këto ditë.

“I bëj thirrje qeverisë që të gjejë mundësinë për të akorduar shpërblim financiar për punonjësit e policisë në krye të detyrës dhe u kërkoj qytetarëve bashkëpunim të plotë dhe mirëkuptim e mbështetje për punonjësit e policisë në mënyrë që bashkërisht dhe duke u mbështetur tek njeri-tjetri ta tejkalojmë këtë situatë me sa më pak dhimbje”, thotë kreu i PD.

Kërkesë për pagesa suplementare për punonjësit e Policisë së Shtetit ka edhe bërë Sindikata e Policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë