Lajme

PD gati për drejtimin e vendit? Duma: S’jemi ende gati

Në një analizë që i ka bërë situatës politike në vend, Grida Duma thotë se 2018-ta ka qenë një vit i zymtë dhe me “rezultate të mira në të keqen e vet” për PD-në.

Deputetja demokrate thekson se ka qenë një vit ku besimi i qytetarëve ndaj qeverisë është shumë i ulët, sidomos pas zhvillimeve të fundit politike, që kulmuan me protestat e studentëve.

“Mendoj se për hir të maxhorancës më shumë, se ajo duhet ta mbajë përgjegjësinë sot, mendoj se është një nga vitet që e ka ulur më tepër besimin tek politika. Kulmoi me protestën studentore. Në ditë si kjo, kemi një refleksion. Edhe unë në ditë si kjo kur e shoh politikës përmes ekraneve, pak mendojnë se ajo u ka ofruar humanizëm. Nuk jemi në një moment që ka forcë për të shpresuar se gjërat do të bëhen më mirë. Si ishte për PD? Ka qenë vit i zymtë, i trishtë, me rezultatet të mira në të keqen e vet. Denoncimet tona u vërtetuan se ishin të vërteta. Ne i vumë prioritet si opozitë heqjen e krimit nga politika. Ne me mënyrën se si e kemi parë, e kemi kuptuar se problemi nis nga kjo. Do doja shumë që të flisnim për krimin politik dhe të flisnim më shumë se si duhet të zgjidhen gjërat”, - tha ajo e ftuar në emisionin “Opinion” në “News 24”.

Në komentin e saj, Duma shton se jashtë Partisë Demokratike shikon një ngërç. “Një nga kontratat që është vënë re me qytetarët, është kontrata e dhunës. Parlamenti po i ngjan shumë më tepër punë bërësve, kontrata lidhësve, apo dhe kriminelëve. PD duhet të ekzistojë për shoqërinë dhe jo për vetveten. Kjo është filozofia”, tha Duma.

Pavarësisht se pakënaqësia e qytetarëve dhe protestat janë shtuar në vend, deputetja e opozitës thekson se PD nuk duhet të kalojë në delir për të marrë në duar së shpejti drejtimin e vendit.

“Do vlerësoja shumë që në marrjen e përgjegjësive, PD mos të ketë delirin që është gati. Këto anë të ekuacionit duhet të evitohen. Në rastin e Ramës ne kemi problemin e tij, pasi sipas meje ai është lideri i gjithanshëm. Ai beson se ka të drejtë që t’i bëjë të gjitha vetë. Nuk ka ministra në qeverinë Rama dhe ky është gangreni. Gjeja më e humbur në Shqipëri është kontrata elektorale”, - shpjegoi Duma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë