Politike

PD e LSI nisin organizimin për tubimin e 2 marsit, Basha mesazh krerëve të degëve

Dy partitë kryesore të opozitës, Partia Demokratike dhe ajo Lëvizja Socialiste për Integrim prej ditësh kanë nisur takimet e përbashkëta dhe kjo me qëllimin për organizimin e tubimit të 2 marsit. Dy aleatët kryesorë të opozitës kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestën e thirrur nga presidenti Meta. Ndërsa vetë kryedemokrati Lulzim Basha, pas mesazh publik pro presidentit, ka shpërndarë një mesazh për kryetarët e degëve të PD-së, ku i kërkon angazhim për këtë tubim.““Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën!”, shprehet Basha në mesazhin e tij.
Gjithashtu kreu i PD-së ka dy porosi për krerët e degëve për t’u organizuar në mënyrë që të ketë pjesëmarrje nga rrethet.
“Dy porosi: 1. Ky mesazh të shpërndahet tek të gjitha strukturat e partisë. 2. Mbi këtë çështje do të keni gjatë ditës bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm, për masat organizative”, thuhet në këtë urdhër të kryedemokratit.
Presidenti ka njoftuar zyrtarisht Policinë e shtetit për mbajtjen e tubimit më 2 mars në ora 17:00, ku do të firmosë dekretin për të ashtuquajturin grushti i shtetit. Në letrën e drejtuar, presidenca shprehet se pjesëmarrja është e paparashikueshme.
Motoja e këtij manifestimi me qytetarët do të jetë: “Për Republikën; Për Kushtetutën; Për Kombin; Për unitetin e popullit”.
“Drejtuesi i këtij manifestimi paqësor është presidenti Ilir Meta. Organizator dhe persona kryesor ndihmës të këtij manifestimi, do të jenë këshilltaret e Presidentit, Bahri Shaqiri, Dedë Prenga, Shemsi Premçi, Numri i personave të tjerë ndihmës në këtë manifestim është në varësi të kontributit të secilit qytetar që do të shprehë dëshirën dhe angazhimin për të marrë pjesë”, thuhet në këtë dokument.
Ndërsa theksohet se qytetarët që do të jenë të pranishëm janë ftuar të kenë me vete Flamuj Kombëtar dhe buqeta me lule mimoze të freskëta dhe sipas Presidencës paralajmërojnë ardhjen e pranverës Kuq e Zi për të gjithë shqiptarët e bashkuar kudo janë.
“Në këtë organizim do të mbajë fjalën e tij Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe personalitete të spikatura publike që dëshirojnë të përcjellin mesazhe, frymëzuar nga motoja e këtij manifestimi, por jo politikanë, dhe as ushtarakë aktivë”, thuhet në këtë shkresë të presidencës.
Gjithashtu Meta shprehet në këtë dokument se “Punonjësit e Policisë së Shtetit, nuk janë të ftuar të marrin pjesë në këtë manifestim, ndërkohë që Presidenti i Republikës, kërkon nga ana policise që të merrni masat respektive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në datën dhe orarin e njoftuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë