Partia Demokratike ka kërkuar sërish arrestimin e kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos. Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, në një dalje për mediat është shprehur se Dako është bashkëpunëtor me bandat për blerjen e votës dhe dosja “339”, nuk do të jetë “çudia që zgjat vetëm 3 ditë”.
“Dosja “339”, nuk do të jetë “çudia që zgjat vetëm 3 ditë”! Dosja “339” është radiografia e pushtetit të lidhur me krimin, pushtetit në shërbim të krimit pushtetit që këmben favore me krimin, në nevojën e përbashkët për të mbijetuar në kurriz të ligjit dhe interesit publik”, u shpreh Strazimiri.
Gjithashtu, deputeti Strazimiri u shpreh se zbardhja deri në fund e krimit elektoral në dosjen 339 është e panegociueshme.
“Zbardhja deri në fund e aferave kriminale e politike të provuara në dosjen 339 është e panegociueshme dhe arrestimi i Vangjush Dakos si ndërlidhësi dhe “hallezgjidhësi” i bandave në këmbim të votës është hapi i parë i domosdoshëm dhe urgjent në këtë drejtim. Çdo ditë në liri për Vangjush Dakon, do të thotë një ditë më shumë skllavëri edhe më e rëndë për shoqërinë, do të thotë paprekshmëri për bandat, do të thotë shkatërrim provash, do të thotë presion e influenca kriminale që shtohen e forcohen për t'i siguruar pandëshkueshmëri Vangjush Dakos dhe bandave. Çdo ditë bllokim i Dosjes 339 është një provë e delegjitimimit të mëtejshëm të një prokurorie nën thundrën e një qeverie ilegjitime, që sot është në pushtet vetëm për shkak të gjushëve, anëtarë të bandave të trafikut ndërkombëtar”, përfundoi deputeti demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.