Partia Demokratike thotë se të arrestuarit e Vlorës për trafikun e lëndëve të rrezikshme nga Italia për në Shqipëri janë të njohur të Kryeministrit Edi Rama dhe të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
PD publikon dy foto. Në të parën shfaqet kryebashkiaku Dritan Leli me personin që Fatbardh Kadilli nga opozita e identifikon si shtetasi Agron Brati, drejtori i një agjencie tragetesh në qytetin e Vlorës. Në foton e dytë shfaqet Kryeministri Edi Rama me shtetasin Zamir Kormuzi, edhe ky i arrestuar si pronari i një pike grumbullimi në qytetin e Vlorës, ku depozitoheshin mbetjet toksike që tërhiqeshin ilegalisht të paregjistruara nga porti i qytetit.
Kadilli thotë se krime të tilla nuk mund të ndodhin pa bashkëpunimin e shtetit.
“Nuk ndodh pa bashkëpunim me mafien ndërkombëtare. Një traget, që u brohorit nga qeveritarët si tregues i zhvillimit në Vlorë, qënka trageti i vdekjes. Shërbimi i tragetit nuk është nje aktivitet dosido! Fuçi me lëndë kimike të rrezikshme, ishin ngarkesë e rregullt e tragetit”, deklaron ai.
Përfaqësuesi demokrat ngre disa pyetje.
“Trafikimi i mbetjeve është biznes i mafies, por që nuk bëhet pa kapur institucionet. Ku shkarkoheshin? Çfarë ndotnin kriminalisht, tokën apo detin e Vlorës? Cili është roli i “deputetit” të Vlorës Rama? Po i Lelit?”, vijon më tej Kadilli.
Opozita thotë se të gjitha këto pyetje do të merrnin përgjigje vetëm nga hetimi i palës italiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.