Politike

PD: Buxheti 2020, buxhet i oligarkëve. Nuk ka rritje rrogash

Partia Demokratike e cilëson buxhetin 2020, të cilin mazhoranca e miratoi në Komisionin e Ekonomisë, si buxheti i oligarkëve.

“Parlamenti votoi në Komisionin e Ekonomisë buxhetin që jep 120 milionë euro në vit për 13 koncesione, ndërsa nuk ka para për rritjen e rrogave. Parlamenti u tall sot me djersën e shqiptarëve, duke mbrojtur dhe duke votuar në komisionin e ekonomisë buxhetin e vënë në shërbim të koncesioneve korruptive të disa oligarkëve”, deklaroi nga selia blu, Dorian Teliti.

Sipas demokratëve, buxheti konfirmon se qeveria nuk ka prioritet qytetarët, por klientët e Ramës që po pasurohen duke grabitur paratë e shqiptarëve.

“Janë 120 milionë euro që do t’u paguhen financuesve të Edi Ramës përmes koncesioneve që i kanë marrë pa garë, pa transparencë dhe në kundërshtim me interesin publik. Kjo është qeveria që shikon vetëm interesin e xhepit të vet dhe është qeveria e vetme, të paktën në rajon, që nuk ka asnjë politikë zhvillimore, asnjë politikë lehtësuese për qytetarët dhe ekonominë e vendit”, vijoi Teliti.

PD e vlerëson buxhetin 2020 buxhet të thellimit të varfërimit të shqiptarëve, i falimentimit të bizneseve, i mbijetesës së familjeve dhe që nuk parashikon rritje rrogash.

Teliti përsëriti qëndrimin e demokratëve se me ardhjen në pushtet do të anulojnë çdo koncesion dhe PPP korruptiv.

“Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve do të shkojnë për rimëkëmbjen e ekonomisë së shqiptareve të ndershëm që e duan Shqipërinë dhe duan ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në vendin e tyre”, mbylli deklaratën e tij, Dorian Teliti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë