Politike

Reagimet kundër betimit para noterit të Arta Vorpsit

Me betimin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese përmes një akti noterial, Partia Demokratike thotë se Arta Vorpsi provoi se nuk mund të jetë as ligjërisht dhe as moralisht e pavarur dhe mbrojtëse e Kushtetutës dhe e lirive e të drejtave të qytetarëve shqiptarë që burojnë prej saj.

“Betimi tek noteri i kandidates së vetëshpallur si anëtare e Gjykatës Kushtetutese e kthen Shqipërinë në kohët më të errëta të diktaturës komuniste, kur gjithçka dhe kushdo varej nga vullneti i partisë, jo shteti i së drejtës. Me aktin partiak noterial kandidatja e përdorur nga Edi Rama provon se nuk mund të jetë as ligjërisht dhe as moralisht garante e Kushtetutës. Tek noteri mund të bësh edhe “njësimin me origjinalit” të Ardian Dvoranit me Edi Ramën, por kjo nuk të mundëson ligjërisht ushtrimin e detyrës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, thotë në një reagim, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Bardhi thotë se nuk bëhet fjalë për mosnjohje të Kushtetutës nga Arta Vorpsi.

“Të jem i sinqertë, Arta Vorpsin e njoh dhe në vlerësimin tim profesional, nuk ka njohje kaq të ulët mbi Kushtetutën. Prandaj, kushdo që e ka detyruar të bëjë këtë veprim, thjesht e ka dëmtuar përpara opinionit publik, duke i vënë etiketën e Arta Markut, si ushtare e këtij pushteti, kundër shtetit të së drejtës”, shtoi Bardhi.

“Me këtë skenar për shkeljen skandaloze të Kushtetutës, në vend që të përmbushë kushtet gjermane për standardet europiane të drejtësisë së pavarur, Edi Rama po zbaton parimin nazist “Çfarë është e mirë për Hitlerin, është ligjore”, mbyll reagimin e tij Sekretari i Përgjithshëm i PD.

Denar Biba fshin komentin

Betimin e Arta Vorpsit përmes një deklarate noteriale e komentoi edhe nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba.

Përmes një komenti të publikuar në rrjetet sociale, por të fshirë më vonë, Denar Biba thotë se akti i Arta Vorpsit nuk mund të cilësohet betim, por thjesht shfaqje e njëanshme e vullnetit të saj.

“Padrejtësisht, një profesioniste serioze si Arta Vorpsi këto ditë është gjetur në qendër të një situatë që vetëm serioze nuk mund të quhet. Ajo e di më mirë se shumë të tjerë sesi procedura që Kushtetuta urdhëron betimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Me siguri, ky veprim i Artës, i vetëdijshëm, është thjesh shfaqje e njëanshme e vullnetit të saj për të treguar se merr përsipër këtë angazhim të jashtëzakonshëm që Kuvendi dhe koha ia ngarkoi. Nuk kemi të bëjmë me betimin si anëtare e Ardhshme e GJK, por besoj me një deklaratë që tregon përgjegjësinë e Arta Vorpsit në këto rrethana, sepse Arta që njoh unë, përpara së gjithash e ka marrëdhënien me emrin e saj të mirë”, shkruan ai.

Faksimile e komentit te Denar Bibes. Gazeta Si, 14 nentor 2019

Biba ishte në listën e emrave që shfaqi interes për t’u emëruar si gjykatës kushtetues, por që u skualifikua nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

LSI: Marrëzi noteriale. Manjani: Kushtetuesen e ngritën me ligjin e martesave

Nga Lëvizja Socialiste për Integrim betimin e Arta Vorpsit para noterit e konsiderojnë “marrëzi të noterizuar”.

“Kuvendi i marrëzive kushtetuese, na dha mundësinë të mësojmë se paska edhe marrëzi të noterizuar! Tani e kanë radhën ndërkombëtarët që të kuptojmë se deri ku mbërrin marrëzia!”, deklaron Luan Rama.

Rama nuk e cilëson “injorancë” këtë akt.

“Vetëm duhet të dimë që psikoanaliza është një terapi kundër injorancës. Ajo nuk ka asnjë efekt mbi marrëzinë”, shton ai.

Ndërkohë, ish-deputeti dhe ish-ministri i LSI-së, Ylli Manjani ironizon në rrjetet sociale.

“Kulmi u arrit! Gjykatën Kushtetuese e bënë me ligjin e martesave. Parlamentin e bënë zyrë lidhje martese. Hajt shnet edhe Reforma!”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë