Politike

PD: Arsimi në vdekje klinike! 200 shkolla u mbyllën

Partia Demokratike thotë se arsimi nuk është prioritet i qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, që sipas opozitës ka braktisur premtimet e bujshme të tij për 5 për qind të buxhetit për këtë sektor. Sipas PD-së, kjo është arsyeja se përse në vend gjendja e arsimit po përkeqësohet vit pas viti.

“Premtimet për financim, ndryshim kurrikulash, depolitizim, modernizim përfunduan si premtimet 3D të Edi Ramës në ERTV, ndërsa realiteti është krejt ndryshe. Në 6 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës Shqipëria ka 145 mijë nxënës dhe studentë më pak në bankat e shkollës dhe auditorët e saj dhe më shumë se 200 shkolla janë mbyllur, sepse nuk ka nxënës për t’u regjistruar”, deklaroi nga selia blu, Ndriçim Mehmeti.

Mehmeti tha se arsimimi i fëmijëve është bërë i papërballueshëm për prindërit shqiptarë.

“Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se tekstet shkollore janë shtrenjtuar. Çmimi i librave dhe mjeteve shkollore është shtrenjtuar me 7.6% këtë vit në krahasim me 3% që u rit vitin e kaluar, bëhet e ditur nga vetë agjencia e kontrolluar nga qeveria. Librat falas janë një farsë e shëmtuar, denigruese, tallëse, si dhe dëshmi e papërgjegjshmërisë së Edi Ramës dhe ministres së tij të rradhës për arsimin. Librat e propaganduar falas nuk janë të tillë. Pjesa më e madhe e teksteve shkollore, blihen nga prindërit, pasi ato që ofron shkolla janë të keqpërdorura. Të ashtuquajturit libra falas mund të përdoren për riciklim, por jo për mësim”, vijoi ai.

Kësaj panorame të zymtë, sipas PD, arsimit shqiptar i shtohen edhe punësimet e militantëve.

“Arsimi është kthyer në një strehë militanësh partiakë, ku mësuesit nuk zgjidhen sipas dijes dhe eksperiencës që kanë, por sipas kontrubiteti dhe lidhjeve me partinë në pushtet. Me urdhër të Ministres së Arsimit ka nisur një valë spastrimi e mësuesve që nuk kanë lidhje me Partinë Socialiste apo akoma më tepër, mbështesin opozitën dhe si të tillë trajtohen si kundërshtarë politkke, duke i larguar nga puna. Vetë Besa Shahini i ka cilësuar këta mësua në Parlament me zë e figurë si “mësues të PD-së”. Qindra prej tyre janë shkurtuar nga puna apo janë transferuar pa asnjë arsye, pa shkresa, vetëm me urdhra verbalë”, vijoi Mehmeti.

PD ngre disa pyetje në drejtim të Kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit.

“A ekziston më projekti i klasave dixhitale dhe pse nuk u përdorën tabletët? Sa laboratorë të rinj në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të shkencave natyrore janë hapur? Përse në kryeqytete dhe në qytete e mëdha klasat e para dhe gjimnazet vazhdojnë të jenë të mbingarkuara dhe me turne, kur çdo javë propagandohen shkolat e reja apo të rikonstruktura? Përse qeveria ka hequr dorë nga arsimi profesional si prioritet? Pse nuk rriten pagat e mësuesve siç është premtuar dhe pse nuk paguhet më transporti i tyre? Përse mungojnë ndihmës mësuesit dhe përse, edhe ata që ishin, u shkurtuan, në një kohë kur nevoja për këtë katgori mësuesish është gjithnjë në rritje?”, shtoi Mehmeti.

Përgjigjen opozita e gjen vetëm tek një faktor; buxheti i vogël i caktuar për arsimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë