Politike

PD: Anulojmë amnistinë fiskale nëse miratohet

Partia Demokratike thotë se grupi i saj ekspertëve të ekonomisë dhe financave publike zhvilluan një takim online me Misionin e FMN-se, znj. Yan Sun, Shefe e misionit të FMN-së për Shqipërinë dhe znj. Stephanie Eble, Përfaqësuese e Përhershme, Rezidente në Vjenë, duke i njohur me gjendjen e rëndë, sipas të opozitës, në të cilën ndodhet ekonomia e vendit.

PD thotë se ka vënë në dijeni FMN-në se pandemia ka shkaktuar 137 mijë të papunë dhe se 61 për qind e bizneseve reflektojnë rënie të fortë të të ardhurave.

“Prodhimi industrial ka rënë me 11.2%, investimet e huaja direkte ranë me 100 mln euro dhe besimi në ekonomi ka rënë me 50.2 pikë përqindje duke qenë niveli më i ulët në 18 vite. Paketat mbështetëse më të ulta në rajon me vetëm 0.86% të PBB-së dhe mungesa deri më sot e planit të rimëkëmbjes ekonomike, thellon akoma edhe më shumë problematikat ekonomiko-sociale dhe dëmton rëndë bizneset”, thotë PD.

Sipas opozitës, situata përkeqësohet nga fakti që opozita ka të tjera prioritete nga nevoja urgjente që ka ekonomia.

“Amnistia Fiskale dhe Penale është një nga shqetësimet kryesore që i vjen vendit në kushte pandemie. Kjo nismë ligjore jo vetëm është tërësisht e pavend për situatën ekonomike dhe dëshpëruese që ka vendi, por është një tjetër shenjë hipokrizie e qeverisë”, thotë PD.

Opozita zotohet se me të ardhur në pushtet do ta shfuqizojë këtë ligj në rast se mazhoranca aktuale e miraton.

“Nëse ky ligj miratohet me qëllimin e vetëm për të ndihmuar trafikantët e drogës dhe ato që duan të pastrojnë para, qeverisja e ardhshme e Opozites së Bashkuar do ta abrogojë duke përfshirë edhe efekte prapavepruese në ligj”, vijon deklarata e Selisë Blu.

Në deklaratën e shpërndarë nga PD thuhet se në këtë takim është diskutuar edhe për shqetësimet në lidhje me koncesionet dhe PPP-të që sipas opozitës, “janë po aq të kritikuara nga FMN dhe çdo institucion tjetër ndërkombëtar, të cilat prekin vlerën e rreth 13 për qind të PBB-së, duke vendosur në rrezik buxhetin e shtetit me kontrata për të cilat nuk ka patur analiza të sakta kosto-përfitim dhe janë shembujt më domethënës të praktikave abuzive dhe korruptive nga qeveria shqiptare”.

Shqetësimi tjetër që ka ngritur PD lidhet me Korporatën e Investimeve Shqiptare, që kur u ngrit me ligj u pa me pesimizëm edhe nga vetë FMN. Gjithashtu, ekspertët e PD-së kanë njohur misionin e FMN-së në Tiranë me programin ekonomik të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë