Partia Demokratike vijon akuzat ndaj qeverisë Rama për situatën ekonomike në vend. Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së deputetja Jorida Tabaku, njëkohësisht edhe nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, dhe Këshilltari për Çështjet ekonomike në PD, Dorian Teliti, kanë publikuar shifrat lidhur me situatën e buxhetit të shtetit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së saj, deputetja Tabaku tha se Shqipërisë i mungojnë 75 milionë dollarë, para që nuk janë mbledhur.
“Dy gjëra janë të sigurta në buxhetin e qeverive socialiste dhe mbi të gjitha qeverisë Rama ‘mosmbledhja’ e taksave dhe ‘akti normativ’. Këto të dyja janë kolonat mbi të cilat lartohet qeveria e tepsisë Rama, e cila edhe këtë vit dështoi të prodhonte një buxhet real dhe eficient në lidhje me sfidat e ekonomisë shqiptare”, u shpreh Tabaku.
Gjithashtu Tabaku tha se borxhi publik e rendit Shqipërinë ndër 15 vendet me borxhin më të lartë duke deklaruar se borxhi publik është rritur në 83 për qind.
“Kryeministri Rama ka firmosur Aktin Normativ si arnimin e radhës për ekonominë e lënguar të vendit që është futur në një rrugë të vështirë dhe pa vizion. Sado që kryeministri përpiqet të mbulojnë dështimin ekonomik me arnime të njëpasnjëshme dhe arritje imagjinare ekonomike, e vërteta ulërit të kundërtën.
Ky Akt Normativ vjen në një moment ku qeveria gjendet e zbuluar përpara abuzimeve me koncesionet dhe PPP që kanë rritur borxhin publik. Borxh, të cilin qeveria e fsheh duke mos i deklaruar PPP-të si detyrime në kundërshtim me kërkesat e Bashkimit europian. Sakaq, borxhi publik në nivelet aktuale e rendit Shqipërinë përpara Gjermanisë ndër 15 vendet me borxh më të lartë. Shqipëria është e para në rajon për borxhin me 70 për qind dhe n.q.s llogarisim këtu dhe kontratat koncesionare shkon me 83 për qind”, vijoi Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.