Lajme

PD: Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm vazhdon trafikun e drogës, PS: Prokuroria të hetojë

Në një dalje të jashtëzakonshme të paralajmëruar që në mëngjesin e së hënës, Partia Demokratike ka publikuar dy përgjime audio, ku pretendon se është vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili vazhdon trafikun e drogës.

PD thotë që përmes audio-përgjimeve faktohet, që vëllai i Xhafajt vazhdon aktivitetin kriminal.

Sipas PD, në dy audio-përgjimet , vëllai i ministrit, Agron Xhafaj është duke biseduar me një person, të quajtur “bashkëbiseduesi X”. një herë përmes telefonit dhe herën e dytë janë takuar në një lokal në Vlorë.

Deputeti i PD, Alibeaj ka renditur tre fakte ku thotë se ministri Xhafaj ka shkelur ligjin për të penguar çdo veprim për ekstradimin e vëllait të tij, Agron Xhafaj në Itali, ku është i dënuar me 7.2 vite burg.

Alibeaj dekaroi se "Xhafaj nuk përmbush përgjegjësitë ligjorë të ministrit të Brendshëm për arrestimin e vëllait të tij. Xhafaj si kreu i Komisionit të Ligjeve ka falsifikuar dokumentat zyrtare për të penguar ekstradimin dhe dënimin e vëllait të tij dhe së treti ministri nuk zbaton ligjin antimafia për të vëllanë dhe veten e tij".

Deputeti Salianji deklaroi se Agron Xhafaj është bosi i drogës në Shqipëri, por i paprekshëm përsa kohë është vëllai i Ministrit të Brendshëm.

“Ky është realiteti i qeverisjes së Edi Ramës: ministrat e tij të Brendshëm mbështesin dhe lehtësojnë trafikun e drogës” ka deklaruar Salianji.

PS: Prokuroria të nisë hetimin për audio-përgjimin, për ne askush nuk është mbi ligjin

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste përmes kreut të grupit të saj parlamentar, Taulant Balla, i cili i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë audio-përgjimin dhe nëse është i vërtetë Fatmir Xhafaj duhet të mbajë përgjegjësi, në të kundërt të mbajnë përgjegjësi denoncuesit.

“Prokuroria nuk duhet t’ia lërë cështjen akuzatorëve, por të nisë hetimet kryesisht. Për ne askush nuk është mbi ligjin. Prokuroria të mos humbë asnjë minutë. Ne presim të mësojmë të vërtetën, ose të ndëshkohet i akuzuari ose akuzuesit nëse janë regjisorë të kësaj shfaqje me zë, por pa figurë” – tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë