Gazeta Si - Dy të penduarit e drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha janë rikthyer këtë të martë në GJKKO në procesin ndaj Altin Ndocit, Klevis Allës, Besian Xhixhës dhe Enver Divës, të cilët akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, si dhe Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë në Durrës në vitin 2020.
Nëse dëshmia e Dumanit dështoi, pasi seanca u ndërpre me kërkesë të avokatëve, të cilët kërkuan kohë për t’u konsultuar me deklarimet e dhëna në prokurori, ai që ka konfirmuar qëndrimin e tij është Henrik Hoxha, po ashtu i penduar i dosjes “Plumbi i artë”.
Përballë trupës gjykuese, mbi vrasjen e Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë, Hoxha deklaroi se me Dumanin ishte njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt.
LEXO EDHE:
- Rrëfimet me detaje të Dumanit dhe vrasjet e vëllezërve Haxhia që u zbuluan nga një mesazh: Po të pres në Shënvlash
- Vrasja e vëllezërve Haxhia në Durrës, i penduari i drejtësisë në GJKKO: Si e kreu krimin Nuredin Dumani
“Aty shkëmbyem numrat e telefonit, dhe kemi folur e takuar. Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri”, ka dëshmuar Hoxha.
Në lidhje me momentin e krimit, ai ka treguar se ka qenë tek sedilja e pasme e pasagjerit të mjetit të atentatorëve, ndërsa Elio Bitri në timon.
“Kam pasur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdylajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Me Bitrin s’kam pasur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjetur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne, por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armë, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat”.
Sipas Hoxhës, “para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar në për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, ka pohuar para gjykatës Hoxha.
Hoxha identifikoi në seancë edhe Besian Xhixhon që ndodhej në kafazin e qelqtë duke thënë se e ka njohur në Shëngjin.
"Dumani më ka thënë se kishte siguruar eksplozivin me të cilin shpërthyen banesën e Talo Çelos. Talon as se kam takuar as njohur nga afër. Nuredini më thërriste "kusho", asnjëherë me emër. Altin Ndocin ma ka treguar Dumani me foto, se kam takuar as parë. Dumani e ka vëzhguar gjatë pandemisë disa ditë, por nuk e vrau dot. Për vrasjen e vëllezërve Haxhiu, Dumani më dha 30 mijë euro. Kur i thash pse kaq pak, më tha "kusho, e kam hall personal, po ta kërkoj si nder". Gjatë bisedave dëgjova prej tij, se donte ti vriste për llogari të tij, por që me paratë e ndihmonte Erion Alibej. Alibej dyshonte se Ndoci dhe Besmiri kishi qenë të përfshirë në vrasjen e trefishtë në Bradashesh, ku vdiqën vëllai dhe xhaxhai i Alibejt dhe një shtetas turk", tha Hoxhaj.
Ndërkohë, dy të pandehurit e tjerë, Besian Xhixha, 30 vjeç, nga fshati Larushk i Krujës dhe Enver Diva, 40 vjeç, nga Fushë-Mamurrasi, u arrestuan në qershor 2021 nga Policia e Durrësit dhe forcat RENEA, në operacionin e koduar “Vazhdimi”.
Më herët, për të njëjtën ngjarje, ishin arrestuar Klevis Alla, i penduar i drejtësisë dhe Altin Ndoci. Për të njëjtën ngjarje kërkohej edhe vetë Dumani dhe Talo Çela, ish-miku i tij, i cili vijon të mbetet në arrati.
Xhixha dhe Diva akuzohen për “sigurim të kushteve për të kryer vrasje” dhe “mashtrim”. SPAK ra në gjurmët e tyre, pas dëshmisë së të penduarit Klevis Alla.
Ai i tha prokurorëve se ata ishin porositur nga Talo Çela për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia. Për disa ditë me radhë, ata kishin vëzhguar lëvizjet e vëllezërve dhe planifikuar krimin.
Por, pak ditë para se të kryenin vrasjen, ata janë tërhequr, pasi Enver Diva është infektuar me Covid-19 dhe për këtë shkak ishte karantinuar.
Sipas të penduarit, për këtë fakt Xhixha e Diva kishin debatuar ashpër me Nuredin Dumanin. Në këtë situatë, sipas deklarimeve të Kevis Allës, ekzekutimi i vëllezërve është kryer nga të akuzuarit e tjerë dhe se shenjestër ishte vetëm Besmir Haxhia.
Sipas SPAK, ngjarja e 27 prillit tek tregu i makinave në Durrës, kishte si motiv një përplasje mes Talo Çelës dhe Besmir Haxhisë, për humbjen e disa parave të vjedhura në grabitjen e Rinasit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.