Drejtësia

Vrasja e vëllezërve Haxhia në Durrës, i penduari i drejtësisë në GJKKO: Si e kreu krimin Nuredin Dumani

Gazeta Si - I penduari i drejtësisë Klevis Alla, ka treguar në GJKKO dinamikën e vrasjes së vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në prill të vitit 2020 në Durrës.

Sipas Allës, ekzekutor ishte Nuredin Dumani, aktualisht i penduar i drejtësisë, ndërsa gjatë dëshmisë ai nuk përmend Talo Çelën, ende në arrati dhe të akuzuarin Altin Ndocin.

Ndërsa Alla vetë, ishte shofer i makinës me të cilën u bë vrasja. Ai ka treguar se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Dumanin, i cili në kokë mbante një kapuç si ato të policisë.  Bashkë me Nuredinin ishte edhe një person pa kapuç, por nuk e njihte.

LEXO EDHE:
Rrëfimet me detaje të Dumanit dhe vrasjet e vëllezërve Haxhia që u zbuluan nga një mesazh: Po të pres në Shënvlash

Po ashtu Alla ka treguar se ka telefonuar Besmir Haxhinë për t’u takuar. Sipas të penduarit Besmir Haxhia ishte tek dyqani i agjencisë dhe s’ka vonuar shumë dhe ka shkuar tek tregu i Shënvlashit. Sipas të penduarit asnjë nuk ishte në dijeni që Besmiri ishte me vëllanë e tij Viktorin.

Sapo makina “Golf 6” është afruar, Klevis Alla ka treguar se Nuredin Dumani ka ulur xhamin e makinës dhe ka qëlluar e ndërsa ekzekutori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur.

Pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Klevis Alla ka treguar se Nuredini ka zbritur nga makina dhe i është afruar vëllezërve ku ka qëlluar sërish mbi ta.

Pas këtij veprimi ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës. Ndërsa Alla e ka braktisur makinën tip “Benz” disa metra poshtë varrezave aty ku ka hedhur edhe armët e zjarrit.

Më pas të nesërmen, thotë Alla “kam dalë për të pirë kafe me një shok dhe pastaj kam shkuar tek makina e braktisur dhe e kam lëvizur pak më poshtë pasi në zonë po lëvizin disa policë”.

Klevis Alla deklaroi se kishte frikë mos e vriste Nuredin Dumani dhe për këtë arsye ai u bë i penduar i drejtësisë. 

Vrasja e dy vëllezërve po gjykohet në një dosje të vetme bashkë me ekzekutimin e dy personave të tjerë, Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia.

Pas atentatit të dy vëllezërve Haxhia, Prokuroria e Posaçme SPAK bashkoi dy dosjet, të Haxhiajve dhe të dy të rinjve që u ekzekutuan në 2 mars 2020, pasi vëllezërit Haxhia kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia.

Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më pak se një km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë e mekanizëm.

SPAK përfundoi hetimet në vitin 2021 për Talo Çelën dhe grupin e tij lidhur me dy vrasje të bujshme në Durrës atë të 2 vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia dhe vrasjen e të rinjve Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia.

Për vrasjet akuzohen Talo Çela, Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva.

Kështu, sipas SPAK, Talo Çela është i akuzuar për 5 vepra penale, mes tyre, për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të viktimave Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia. Gjithashtu Çela, i cili është në arrati, akuzohet edhe për tentativën e vrasjes me paramendim ndaj Irfan Hazizit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë