Biznes

Pavarësisht vaksinimit, turizmi botëror po lëngon. Barometri: 87% më pak turistë në janar se vitin e shkuar

Pandemia e COVID-19 vijon të shkatërrojë turizmin. Megjithë fushatën e vaksinimit në gjithë botën, turizmi global nuk po ngre kokë.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit për muajin janar tregojnë se mbërritjet turistike ishin 87 % më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia nuk kishte pllakosur ende.

Parashikimi për pjesën tjetër të vitit mbetet i rezervuas  pasi Organizata Botërore e Turizmit (OBT) vazhdon të kërkojë një koordinim më të fortë mbi prototokollet e udhëtimit mes vendeve për të siguruar rifillimin e sigurt të turizmit dhe për të shmangur një vit tjetër humbjesh masive për sektorin.

Pas një fundviti të vështirë 2020, turizmi global pësoi pengesa të mëtejshme në fillim të vitit 2021 teksa vendet forcuan kufizimet e udhëtimit në përgjigje të shpërthimeve të reja të virusit. Sipas botimit të fundit të Barometrit Botëror të Turizmit të OBT, të gjitha rajonet në botë vazhduan të përjetojnë rënie të mëdha të mbërritjeve turistike në muajin e parë të vitit. Testimi i detyrueshëm, karantinat dhe në disa raste mbyllja e plotë e kufijve, të gjitha kanë penguar rifillimin e udhëtimeve ndërkombëtare. Përveç kësaj, shpejtësia dhe shpërndarja e vaksinimit ka qenë më e ngadaltë se sa pritej, duke vonuar më tej rifillimin e turizmit.

Të gjitha rajonet globale po goditen rëndë

Azia dhe Paqësori (-96%), rajoni i cili vazhdon të ketë nivelin më të lartë të kufizimeve të udhëtimit, regjistroi uljen më të madhe të mbërritjeve ndërkombëtare në janar. Europa dhe Afrika të dy panë një rënie prej 85% të mbërritjeve, ndërsa Lindja e Mesme regjistroi një rënie prej 84%. Prurjet ndërkombëtare në Amerikë u ulën me 77% në janar, pas rezultateve disi më të mira në tremujorin e fundit të vitit.

Sekretari i Përgjithshëm i OBT Zurab Pololikashvili është shprehur se: “2020 ishte viti më i keq i regjistruar për turizmin. Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa të forta dhe urgjente për të siguruar një 2021 më optimist. Miliona familje dhe biznese varen nga ky sektor. Koordinimi i përmirësuar midis vendeve dhe protokollet e harmonizuara të udhëtimit dhe shëndetit janë thelbësore për të rivendosur besimin në turizëm dhe për të lejuar udhëtimet ndërkombëtare të rifillojnë në mënyrë të sigurt përpara sezonit të pikut të verës në hemisferën veriore. "

Parashikimi për 2021

Me 32% të të gjithë destinacioneve globale të mbyllura plotësisht për turistët ndërkombëtarë në fillim të shkurtit, OBT parashikon muajt e parë të 2021 tejet sfidues për turizmin global.

Bazuar në trendet aktuale, OBT pret që prurjet turistike ndërkombëtare të ulen me rreth 85% në tremujorin e parë të 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Kjo do të përfaqësonte një humbje prej rreth 260 milion prurje turistike ndërkombëtare kur krahasohet me nivelet para-pandemike. Me vështrimin përpara, OBT ka përshkruar dy skenarë për 2021, të cilët konsiderojnë një kthim të mundshëm në udhëtimet ndërkombëtare në gjysmën e dytë të vitit. Parashikimet bazohen në një sërë faktorësh, veçanërisht në heqjen e kufizimeve kryesore të udhëtimit, suksesin e programeve të vaksinimit ose prezantimin e protokolleve të harmonizuara siç është Certifikata e Gjelbër Dixhitale e planifikuar nga Komisioni Europian.

Skenari i parë tregon një rikthim në korrik, i cili do të rezultojë në një rritje prej 66% të mbërritjeve ndërkombëtare për vitin 2021 krahasuar me nivelet e ulëta historike të vitit 2020. Në këtë rast, arritjet do të ishin akoma 55% nën nivelet e regjistruara në 2019.

Skenari i dytë konsideron një rikthim të mundshëm në shtator, duke çuar në një rritje prej 22% të mbërritjeve krahasuar me vitin e kaluar. Akoma, kjo do të ishte 67% nën nivelet e vitit 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë