Politike

Pavarësia e Maqedonisë së Veriut, Meta: Shqiptarët, kontribut jetik

Maqedonia e Veriut sot shënon 28-vjetorin e Pavarësisë së saj nga ish-Federata Jugosllave.
Me këtë rast, presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Në mesazhin drejtuar Pendarovskit, Meta shkruan se falë vullnetit dhe eksperiencës së tij, marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve do të forcohen.
“28-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më jep kënaqësinë e veçantë që të përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet e përshëndetjet më të ngrohta, të përzemërta e vëllazërore për Ju dhe të gjithë qytetarët Tuaj.
Shpreh bindjen time se, falë edhe vullnetit, eksperiencës dhe vizionit Tuaj, marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë e të bashkëpunimit, që ekzistojnë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë, do të forcohen më tej në të ardhmen”, shkruan presidenti Meta.
Kreu i shtetit vlerëson kontributin jetik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit, ndërsa thotë se përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike ka ndikim në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë”, vijon më tej Meta.
Ndër të tjera Meta e ka përgëzuar presidentin e Maqedonisë së Veriut për arritjen e Marrëveshjes së Prespës.
“Përfitoj nga rasti t’ju përgëzoj për vizionin dhe guximin në arritjen e Marrëveshjes historike të Prespës – një shembull për gjithë rajonin - që jo vetëm do të forcojë perspektivën euroatlantike të vendit Tuaj, por do ta bëjë rajonin tonë edhe më të sigurt. Jam i bindur se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Europian”, thotë Meta.

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me rastin e 28-vjetorit të pavarësisë.
“Me rastin e 28-vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, Ju dërgoj urimet më të mira për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mirëqenien e qytetarëve të saj dhe suksese në rrugëtimin e saj europian.
Nëpërmjet Jush i dërgoj urimet më të mira Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, qytetarëve të vendit tuaj dhe një urim vëllazëror shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut”, shkruan Ruçi.
Ruci në letrën e urimit vë në pah kontributin e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni në zhvillimin dhe përparimin e vendit.
“Jam i lumtur të konstatoj se shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në zhvillimin, përparimin e stabilitetin e vendit si edhe përshpejtimin e proceseve të integrimit europian dhe atlantik”, shkruhet në letrën e urimit të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë