Analize

Pavarësia e Kosovës, Kurti përulet për herë të parë përpara varrit të Rugovës

Katërmbëdhjetë vjet pas vdekjes, Albin Kurti ka pranuar të përulet sot përpara varrit të Ibrahim Rugovës, gjatë festimit të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Edhe pse ishte dikur një prej kritikëve më të ashpër ndaj “pacifizimit’ të Rugovës, Kurti ka ndryshuar qëndrimin ndaj Presidentit të parë të Kosovës.

Duke shkelur në të njëjtën rrugë që kishin kaluar Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe kritikë të tjerë të Rugovës, kryeministri pranoi të përkulet para varrit të tij, në Velani, krah për krah Vjosa Osmanit.

Ai i u rezistoi për 14 vjet kërkesave për ta nderuar figurën e Presidentit Rugova, por koalicioni me partinë e tij, LDK-në, dhe veshja e petkut të kryeministrit, duken se ka bërë që Kurti të zbusë qëndrim.

Duke udhëhequr ceremoninë e 12-vjetorin e Pavarësisë, Kurti u shfaq krah për krah kryeparlamentares Osmani dhe figurave të tjera të LDK-së. Megjithatë, përpara Velanisë, ai shkoi në Prekaz, për të nderuar kujtimin e Jasharajve.

Duke folur përpara varrit të presidenti të parë të Kosovës, Kurti u shpreh se të gjithë duhet ta vlerësojnë Rugovën për “përpjekjet e panumërta” për pavarësi.

“Në një ditë si kjo ne vlerësojmë përpjekjet dhe angazhimin politik për liri dhe pavarësi. U prehtë i qetë dhe në paqe”, tha ai.

Kurti kishte takuar Rugovën në vitin 1997 kur bashkë me lidershipin studentor kishin kërkuar mbështetjen për protestat që do të përbënin një kthesë për Kosovën e pushtuar nga Serbia, por ky takim duket se nuk shkoi sipas pritshëmërive.

Por sot ai pranoi Rugova është ideatori i shtetit të Kosovës.

Pas ceremonisë në varrin e liderit historik të Kosovës, Osmani  dhe Kurti vizituan sot Forcën e Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se në këtë ditë të veçantë ka nderin dhe kënaqësinë në emër të Kuvendit të Kosovës t’i drejtohet ushtrisë së Kosovës, e cila është i sinonim i shtetësisë dhe mbrojtjes.

“Në këtë kazermë që mban emrin e Adem Jasharit, shembullit të sakrificës dhe pavarësisë që gëzojmë sot, amaneti është i çuar përpara, sepse kemi ushtrinë dhe shtetin tonë. Ju jeni përkrahësit më të mëdhenj të paqes. Sot unë dua t’ju them që ju keni sakrifikuar në momentin që keni veshur uniformën. Nuk ka sakrificë më të madhe se sa të luftosh për vendin dhe për të mirën e tij”, tha Osmani duke shtuar se do të punojnë pa reshtur që të bëjë Kosovën një vend të sigurt.

Por kryeministri Albin Kurti duket se kishte plane më të mëdha për ushtrinë. Duke folur përpara ushtarëve të FSK-së ai lajmëroi sot se shërbimi ushtarak në Kosovë do të bëhet i detyrueshëm.

“Detyra që ju bëni më përkushtim dhe dashuri, uniforma juaj është mishërimi i sakrificës kombëtare. I keni bërë krenarë qytetarët dhe keni lartësuar vendin me atë që keni bërë në Shqipëri pas tërmetit”, e nisi Kurti fjalimin e tij. “Do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, sepse shteti jonë e ka të nevojshëm. Shërbimin ushtarak nuk e po e bëjmë për të sunduar, sepse asnjëherë nuk kemi pushtuar tokat e huaja, por që të mbrojmë çdo cep të vendit tonë”, tha ai.

Sipas Kurtit, në një vend të varfër si Kosova ushtria është e kushtueshme, por se duhet ta zhvillojë Kosovën. Sipas tij, Kosova nuk mund të ketë paqe, derisa Serbia të njohë krimet e luftës.

“Jetojmë në një rajon ku paqja ende është e brishtë, 20 vjet kanë kaluar askush nuk ka marr ende përgjegjësi për gjenocidin, krimet, masakrat, përdhunimet. Ata që deshën të na shfarosin sot mohojnë ekzistencën tonë”, tha ai.

Kryeministri ka theksuar se përfaqësuesit e popullit duhet të jenë të unifikuar në politikën e jashtme dhe t’i fshehin dallimet.

“Si përfaqësues të shtetit ne duhet të jemi të unifikuar në politikën e jashtme. Kemi në zemër më të mirën për qytetarët tanë”, është shprehur Kurti.

Por përvjetori i pavarësisë së Kosovës nuk arriti ti bëjë bashkë të tre liderët e shtetit, Hashim Thaçin, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

Ndërkohë që kryeministri Kurti dhe Osmani po zhvillojnë së bashku të gjitha aktivitetit, presidenti Thaçi ka agjendën e tij.

Pasi të kthehet nga Brukseli, Thaçi do t’iu drejtohet ushtarëve të FSK-së. Ai nuk ishte i pranishëm as në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ku ishin të pranishëm diplomatë, ushtarë dhe ambasadorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë