Motosport

Pasuesi i Hemiltonit te Mercedesi, drejtuesit nuk e përjashtojnë rikthimin e Fetel në pistë

Gazeta Si – Mercedesi nuk e ka zgjedhur ende pasuesin e Ljuis Hemiltonit, që sezonin e ardhshëm do të garojë për Ferrarin. Drejtuesi kryesor i skuderisë gjermane, Toto Volf, ka folur për këtë temë nga Suzuka, ku të dielën zhvillohet gara e Japonisë.

"Nuk është diçka që kemi në plan ta bëjmë javët e ardhshme, - ka thënë Volf. – Merkatoja e pilotëve është shumë dinamike dhe disa prej më të mirëve po firmosin me skuadra të tjera. Vazhdojmë diskutimet dhe kemi të hapura disa opsione, por është ende shumë shpejt për t’u impenjuar me një pilot".

Për hipotezën e një rikthimi të mundshëm në pistë të Sebatian Fetel për të zëvendësuar Hemilton, Volf tha: “Sebastian është një person që kurrë nuk mund të hidhet poshtë si mundësi. Kurrikulumi i tij është fenomenal. Ndonjëherë, të marrësh një pauzë është e dobishme për të rivlerësuar atë që është më e rëndësishme dhe për të gjetur motivim".

Fetel, i cili u tërhoq në 2022-shin, ka deklaruar në fillim të javës se ka pasur takime me Volf. Ky i fundit duhet të gjejë pilotin e duhur për të zëvendësuar 7 herë kampionin e botës. Hemilton ndërkohë ka dhënë ‘bekimin’ për ish-rivalin e tij, duke thënë se "do t’i pëlqente që Sebastian të kthehej në pistë, është një opsion shumë i mirë për Mercedesin’.

Si kandidatë për të marrë vendin e Hemiltonit te Mercedesi janë përmendur edhe emrat e Karlos Sainz, Maks Vershtapen dhe Mik Shumaker. Volf ka deklaruar se skuadra e tij ka një listë të ngushtë, por nuk deshi të thoshte sa emra janë.

Fernando Alonso, një nga pilotët më ekspertë, ka thënë së fundi se kampioni në fuqi, Maks Vershtapen, ka zero shanse të largohet nga Red Bull-i.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë