Ushqim

Pastat ‘Barbie’ bëhen virale në TikTok (sekretet e recetës)

Barbie po futet në çdo pjesë të jetës! Falë suksesit të jashtëzakonshëm të filmit, ngjyra rozë është tendenca absolute e kësaj vere, nga thonjtë, tek veshjet, modeli i flokëve të aktores, e tanimë zyrtarisht Barbie është futur edhe në kuzhinën e amvisave.

Kat Clark, influencuesja e njohur në Tik Tok që poston shpesh video nga recetat dhe gatimet e shëndetshme, postoi një video të saj duke përgatitur pastat virale rozë. Receta ka vetëm disa përbërës: panxhar, djathë feta, hudhër e pjekur, ujë dhe sigurisht pastat. Sipas dëshirës ju mund të përdorni çdo formë makaronash.

“Ka kaq shumë diskutime për Barbie-n këto kohë, sa ndihem sikur Barbie do ta shijonte patjetër këtë recetë”, thotë ajo.

@katclark Barbie Pasta 💖 #recipe #barbie #barbiepasta #dinner ♬ original sound - Kat Clark

Përbërësit:

-Panxhari është “prekja” finale për ngjyrën rozë në pjatën tuaj

-Hudhra, e pjekur në një letër alumin, për shije më të thellë

-Djathi kompeson shijen e kripës në recetën e pastave, ndaj mos shtoni më kripë në salcë

-Lëngu i perimeve, i nevojshëm për të pasuruar shijen e salcës së pastave

-1 lugë piper të zi

-Pak kopër, zgjedhja është opsionale, por pak erëza i shtojnë shije gatimit

Përgatitja:

Si fillim duhen pjekur në një letër alumini panxhari dhe hudhra. Ngrohni furrën në 180 gradë dhe pasi të keni larë, qëruar dhe prerë në kubikë të mëdhenj panxharin, vendoseni në letrën e aluminit. Shtoni në të edhe hudhrën, spërkateni me vaj ulliri dhe piper, mbështilleni letrën dhe futeni në furrë për 30 minuta. Para se panxhari dhe hudhra të jenë gati, ju duhet të përgatisni pastat. Hidhini në ujë të valuar me kripë sipas udhëzimeve të paketimit, kullojini pasi të jenë zier dhe shtoni pak vaj ulliri.

Pasi panxhari dhe hudhra të jenë zbutur, pastrojini nga lëkura dhe futini në një blender. Shtoni aty djathin feta, lëngun e perimeve, piperin e zi dhe 125 ml ujë të ftohtë. Bluajini deri sa të formohet një masë kremoze. Salcën shtojani makaronave dhe gjithçka gati.

Nëse dëshironi të provoni pastat rozë ose ndonjë ushqim tjetër në të njëjtën ngjyrë, Tik Tok ka një sërë opsionesh të mjaftueshme për të organizuar super darkën tuaj Barbie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë