Ne rrjet

Pasaporta e vaksinimit do të jenë digjitale. BE jep dritën jeshile

Me nisjen e vaksinimit, Europa po përgatitet për lëshimin e pasaportave të vaksinimit, duke kufizuar lëvizjen dhe një sërë aktivitetesh të tjera për ata që zgjedhin të mos vaksinohen kundër Covid-19.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mbështeti zyrtarisht të enjten iniciativën e qeverisë greke për të lejuar vetëm ata që janë vaksinuar të udhëtojnë lirshëm dhe bëri thirrje për lëshimin e një certifikate vaksinimi që njihet reciprokisht në të gjithë vendet e Bashkimit Europian.

"Është një kërkesë mjekësore të kesh një certifikatë që vërteton se je vaksinuar," tha Ursula von der Leyen në një intervistë me Lusa dhe media të tjera Portugeze.

Presidentja e Komisionit Europian iu përgjigj letrës së kryeministrit Qiriako Mitsotaqis më parë, i cli bëri thirrje për lehtësimin e rregullave të udhëtimit për ata që ishin vaksinuar.

Von der Leyen duket se do t’ia propozojë këtë ide të gjitha vendeve europiane. “Ky është një vendim politik dhe ligjor që duhet të diskutohet në një nivel europian," u tha ajo gazetarëve.

Por si do të funksionojë kjo certifikatë ose pasaportë vaksinimi dhe nga kush mund të prodhohet?

Kompanitë e teknologjisë mësohet se punojnë së bashku për të krijuar një pasaportë digjitale të vaksinimit për qeveritë, linjat ajrore dhe bizneset e tjera do të kërkojnë prova se njerëzit janë vaksinuar kundër Covid-19.

Iniciativa është marrë nga një koalicion i disa organizatave, duke përfshirë Microsoft, Oracle dhe Klinikën Mayo, i cili synon të krijojë standarde për të verifikuar nëse një person është vaksinuar dhe për të parandaluar njerëzit që pretendojnë në mënyrë të gabuar se janë imunë nga Covid-19.

Koalicioni bazohet në punën e bërë nga një prej anëtarëve të tij, Projekti Commons, i krijuar me mbështetjen e Fondacionit Rockefeller. Një pasaportë digjitale e prodhuar nga ky projekt po përdoret nga disa linja kryesore ajrore.

Paul Meyer, shefi ekzekutiv i Projektit Commons, tha se ky koalicion synon të ndërtojë regjistra elektronikë mjekësorë për të krijuar një kartë dixhitale. Meyer tha se koalicioni ishte në bisedime me disa qeveri europiane që kërkojnë nxjerrjen e këtyre pasaportave.

Çdo vend mund të vendosë rregullat e veta siç janë, për shembull, cilat vaksina do të pranojë. Sistemi do të bëjë të mundur mbajtjen e sigurt të të dhënave dhe individët do të jenë të regjistruar në një portofol dixhital, kështu që ata mund të lëvizin lirshëm.

Ai thotë se disa biznese, si organizatorët e ngjarjeve, mund të kërkojnë prova nëse qytetarët janë vaksinuar, ashtu si edhe universitetet.

Ndërsa variante të reja të virusit u përhapën në të gjithë botën, Projekti Commons thotë se ka parë një rritje të konsiderueshme të interesit për lëshimin e pasaportave digjitale.

"Shumë vende ose kanë mbyllur kufijtë e tyre tërësisht ose tani kanë vendosur kërkesa të detyrueshme të testimit për të gjitha udhëtimet ndërkombëtare" thotë Meyer.

Në Mbretërinë e Bashkuar, e cila nga e hëna do t'u kërkojë udhëtarëve ndërkombëtarë të bëjnë tamponin përpara mbërritjes në Britani, qeveria ka thënë se nuk do të merret asnjë vendim mbi pasaportat e vaksinimit derisa të ketë prova më të plota mbi efektin e vaksinave në transmetimin e variantit të ri.

Burimet: "Financial Times, "Euractiv".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë