Rend dhe Ligj

Pas Zani Çaushit, një tjetër i dënuar me burg përjetë Taulant Balliu kërkon lirinë

Pas ish-kreut të bandës së Vlorës, Myrteza Çaushi, një tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm kërkon të lërë qelinë në vendin tonë.

Bëhet fjalë për Taulant Balliun, anëtar i bandës famëkeqe të vitit 1997, të Tan Kateshit në Elbasan, ka kërkuar të lirohet, pasi ka kryer 25 vite burg.

Balliu e ka argumentuar kërkesën me pretendimin se nëna e tij jeton e vetme, pasi i vëllai ka ndërruar jetë.

Taulant Balliu është i njohur ndryshe me pseudonimin “Cikja”.

Ai ka qenë krahu i djathtë i “kapos” së grupit kriminal të ngritur në vitin 1997 në qytetin e Elbasanit, Tan Kateshi.

Gjatë trazirave ai është mbajtur si një prej ekzekutorëve kryesor të bandës, të përbërë nga 30 persona, 11 prej të cilëve janë vrarë.

Banda, aktivitetin e saj kryesor e ka nisur me grabitje në akset rrugore, vendosje gjobash, vjedhje me dhunë të makinave etj.

Mbi ta rëndojnë një sërë akuzash dhe tashmë shumica e tyre ose kanë vdekur ose janë në burg duke vuajtur dënimin.

Prej disa kohësh, përpjekje për t’u liruar nga burgu po bën edhe ish-kreu i bandës së Vlorës, Myrteza Çaushi.

I ashtuquajturi Zani është dënuar me burgim të përjetshëm, me pretendimin se ka kryer dënimin dhe kërkon lirimin me kusht.

Seanca e sotme për “të fortin e Vlorës” në trazirat e vitit 1997, u shty përsëri sot, pasi avokati kërkoi kohë për konkluzionet.

Gjykata vendosi që seanca e radhës të mbahet më 9 prill.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë