Politike

Pas Venecias, Meta pret Bashën në zyrë dhe njofton konferencë për shtyp

Presidenti Ilir Meta priti në një takim të beftë kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha ngjiti shkallët e Presidencës rreth orës 10:00. Takimi ka përfunduar rreth orës 11:00 të paradites së të mërkurës dhe në përfundim të tij asnjëra prej palëve nuk ka dalë me një deklaratë.

Presidenca njoftoi se në orën 17:00, kreu i shtetit do të dalë në një konferencë për shtyp. Këto zhvillime mbërrijnë një ditë pas takimit të Presidentit Ilir Meta me ekspertët e misionit faktmbledhës të Komisionit të Venecias, të thirrur në Tiranë nga mazhoranca për dhënien e një opinioni mbi nismën e socialistëve për shkarkimin e Presidentit.

Të hënën, Meta doli para Komisionit Hetimor Parlamentar që do të ndërtojë raportin mbi shkeljet që do të gjejë në vendimet dhe deklaratat e Presidentit të Republikës. Raporti do të kushtëzohet fort nga opinioni i Venecias. Vetë Venecia pritet që të dalë me opinion në datë 11 janar, në mbledhjen e radhës në sesion plenar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë