Njerez

1 muaj pasi i vdiq i biri, hyn në Grande Fratello: Tragjeditë e Lory del Santo dhe shoqëria e spektaklit

Një dramë tjetër për Lory Del Santo-në, aktoren dhe showgirl-in italian; një tjetër fëmijë i vdes në mënyrë tragjike, fati që i hakërrehet, bota përreth që e pyet si mund të jetë e vërtetë. Përsëri. Më 1991-shin, i biri katër vjeç e gjysmë që kishte lindur nga marrëdhënia me këngëtarin Eric Clapton, bie nga dritarja e katit të pesëdhjetetretë, të një qiellgërvishtëseje, në Nju Jork. Në një jetë do të mjaftonte ajo dhimbje për të kapërcyer dozën “e duhur” – nëse do të kishte ndonjëherë një të tillë – të një ekzistence të tërë. Sot, pas 27 vitesh, Lory Del Santo, gjendet përballë një tjetër zije shkatërrimtare, vdekja e Lorenit, 19 vjeç, që ka ndodhur në muajin gusht, ndërsa ajo e bëri publik lajmin vetëm një muaj më vonë – edhe pse kjo në pamje të parë shkaktoi reagime – sepse zgjodhi ta bëjë në televizion, në emisionin “Verissimo”. “Im bir na la. Vrau veten për shkak të një patologjie të rëndë cerebrale. Truri i tij u shua për shkak të një kolapsi mendor.”

Lory Del Santo me të birin, Loren 


I saji ishte një shfrim i gjatë televiziv. “Vrava mendjen në atë periudhë për të kuptuar nëse, njerëzisht, mund të bëhej diçka për ta ndihmuar, por vështirë se mund të ndihmohen raste të këtij lloji. Kam vetëm një ndjenjë faji: herën e fundit që u pamë nuk i thashë “të dua shumë”, vetëm e putha dhe u mjaftova me kaq. Asgjë tjetër.” Ka shpjeguar edhe motivin e rrëfimit publik: “Jam përpjekur ta jetoj e vetme këtë periudhë, pa folur me askënd. Pa miq. Pa mundur të them të vërtetën. Flas për të rigjetur forcën, për t’u bërë e fortë. Tani duhet ta marr veten. Duhet të takoj njerëz. Më kanë thënë se të rri e izoluar në dhimbjen time nuk mundet veçse të më bëjë keq.”
Ishte e përzgjedhur në kastën e Grande Fratello Vip në Itali përpara se t’i ndodhte tragjedia. “Kisha firmosur për të marrë pjesë. Pas asaj që ndodhi, duke marrë miratimin e Mediaset, kisha vendosur të hiqja dorë. Por kërkova ta bëj gjithsesi këtë përvojë. Mund të jetë një terapi. Fakti që ka një dhomë rrëfimi, për të folur në çdo çast me dikë, mund të më bëjë mirë.”
Fjalë të tjera që shkaktojnë një lloj reagimi, si mundet të mendohet të ekspozohet dhimbja, përpara miliona njerëzish, pa turp? Por ky është një mendim i çastit, sepse, kush jemi në fund të fundit për të gjykuar dhimbjen e tjetrit, humnerën në të cilën të çon, zgjedhjet, ndoshta të marra, ndoshta jo, për t’u përpjekur të dalësh prej saj?!

Del Santo në Grande Fratello Vip


“Nuk më shtien frikën çastet e vetmisë në Shtëpinë e Grande Fratello-s”, ka thënë sërish. “Ato ku reflektoj, vetmia nuk më tremb. Vetmia është forcë. Të bën të meditosh për të gjetur zgjidhje”. Vetmia nën sytë e telekamerës, një tjetër absurditet, por në një çështje ku nuk ka një kuptim, gjithçka mbetet jashtë kodeve të arsyes. Jeta e Lory Del Santos, 60 vjeç, ish-velinë e “Drive In”, konkurruese e përzemërt e spektakleve reality (La fattoria, Pechino Express, L’isola dei famosi, ku madje edhe fitoi) ka qenë një karusel profesional, por edhe sentimental. Një jetë gjithnjë në ekspozim. Kopertinat e Playboy-it, filmat për të rritur. Historia e një nate dashurie me miliarderin Kashoggi, që i dhuroi një gjerdan diamantesh. Marrëdhënia me Eric Clapton, që i kushtoi këngën “Lady of Verona”.

https://www.youtube.com/watch?v=9xF-oN03Txk

Eric Clapton, i biri Conor dhe Lory Del Santo 

Takimi i parë qe një goditje rrufeje, ajo ishte “një alamet gruaje”, kujtonte kitaristi. Iniciativën e mori ajo. “Ke fëmijë? Jo. Do të doje? Po. Atëherë le ta bëjmë një bashkë”. Erdhi në jetë Conor-i, por lidhja u shkri menjëherë. Pastaj mbërriti tragjedia. U avit në një dritare dhe me kureshtjen e një vogëlushi që nuk i kishte bërë ende pesë vjeç, fluturoi njëqind metra, vetëm mendimi të fut të dridhurat. Vajza italiane e spektakleve dhe kantautori britanik u njohën më 1985-ën. Një dashuri jo e thjeshtë, as e qëndrueshme, por që një vit më vonë i bëri prindër. Kur ndodhi tragjedia, i vogli Conor ndodhej me të ëmën. Eric dhe Lory ishin ndarë prej kohës, por ai gjendej në qytet atë ditë dhe, me të marrë lajmin nxitoi tek ajo.

Clapton dhe Del Santo pas vdekjes së të birit. 

Më 1992-shin , Clapton i dedikoi të birit këngën “Tears in Heaven”. Por në një dokumentar, më herët, kishte rrëfyer historinë me Lory-n dhe atësinë. “Kur isha në turne në Milano më prezantuan Lory-n. Isha i marrosur pas saj. Kisha vendosur të bëja një jetë të re, në Itali. E tentuam, por ajo nuk e kishte idenë se me kë kishte të bënte, nuk isha i qëndrueshëm nga asnjë këndvështrim. Kur i thashë se doja të kthehesha tek ime shoqe, më tha se ishte shtatzënë. Conor ishte e para gjë në jetën time që më preku thellë, për të më thënë se ishte koha të rritesha. Këtë nuk mund ta shkatërroja. Ai është i mahnitshëm, i mrekullueshëm.” “Isha aq e lumtur kur mora vesh se isha shtatzënë me Conor” ka kujtuar vite më vonë showgirl-i. “Nuk më interesonte asgjë tjetër, as shtëpia e as paratë. Eric-u më ka dhënë shumë emocione, më ka bërë edhe të vuaj, ishte i paqëndrueshëm. Dua të theksoj se nuk mbeta rastësisht shtatzënë.”

Lory dhe Eric, kur lindi dashuria e tyre, në Milano, 28 vjet më parë


Conor ishte katër vjeç e gjysmë kur vdiq. I ati ishte nisur për të ardhur tek ai, duhet të shkonin në park bashkë, ka rrëfyer Lory. “Nëse do të kish qenë faji im nuk do ia kisha dalë ta kaloja atë tragjedi. Kur shkuam në Londër për funeralin, një ditë erdhi postieri me një letër bojërozë. E kisha harruar, por Conor kur ishim në Nju Jork i kishte shkruar një letër dhe pastaj ia kishim dërguar të atit në Lodër. Shkruhej “I love you”. Unë ngriva në vend, isha mesazhi i fundit që donte t’i jepte, më i bukuri.”

https://www.youtube.com/watch?v=JxPj3GAYYZ0
Kënga "Tears in Heaven" që Clapton ia dedikoi të birit, Conor, një vit pas vdekjes

Lory Del Santo lindi dy fëmijë të tjerë. 26 -vjeçarin Devin Sardi, i cili nuk i flet prej kohësh, siç ajo zbuloi në televizion ( e ku tjetër?!) dhe Lorenin, të lindur nga një marrëdhënie me një burrë, identitetin e të cilit nuk ka dashur ta zbulojë . Djaloshi jetonte në Majami: “Është fantastik – rrëfente ajo – më bën të lumtur dhe në shkollë merr nota të mira”.
“Devin më rrëfeu se, disa ditë përpara vetëvrasjes së Lorenit, i kishin premtuar njëri-tjetrit se do të jetonin gjithmonë bashkë. Tani Devin, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do që t’i qëndroj pranë, sepse do t’u tregojë të gjithëve se mund t’ia dalë vetë. Pranë tij është shoku i tij më i mirë. E di që tani është pak më mirë. I lashë të kuptojë se nuk kemi pse i shkojmë pas një njeriu që nuk është më, sepse ai njeri jeton pranë nesh, gjithmonë”, ka pranuar Del Santo.

Del Santo në Grande Fratello VIP


Producenti kinematografik, Silvio Sardi, ish-partner i Lory Del Santo-s, duke shprehur dhimbjen e tij për vdekjen e Lorenit dhe shqetësimin për të birin, Devin, ka thënë: “Nuk dua ta gjykoj, as të hyj në atë çka ka deklaruar Lory” , ka shpjeguar ai në një letër drejtuar Barbara D’Ursos. “Kam mbetur pa fjalë për këtë tragjedi tjetër që e ka kapluar Lory-in dhe jam i shqetësuar për mirëqenien e Devinit, që shpresoj të mos ketë qenë i pranishëm në atë çast.” Sardi ka rrëfyer më pas se, ka qenë i pranishëm kur i vogli Conor, humbi jetën. “Këtë e them sepse e di ç’do të thotë të jesh i pranishëm në një tragjedi të ngjashme duke qenë se në atë ditë të mallkuar, 27 vjet më parë, kur humbi jetën i vogli Conor isha i pranishëm, pasi ndodhi në apartamentin tim në Manhatan dhe, është e pamundur të harrohet.”

Del Santo me të dashurin aktual

I dashuri aktual i Del Santo-s, 33 vjet më i ri se ajo, Marco Cucolo, ka thënë për mediet se ajo ra në peshë 15 kilogramë, pas humbjes së të birit;. “U tret fizikisht, nuk hante, flinte vetëm dy orë në ditë dhe fiksohej pas një pike në zbrazëti, gjatë gjithë kohës. Po shuhej ngadalë, e la veten të vdiste.” Partneri i Del Santo-s ka thënë se ishte një periudhë e vështirë, por falë ngrohtësisë së familjarëve, gjeti forcën për t’u ngritur. “Një ditë më tha se ka nevojë për diçka tjetër, se e ka përjetuar njëherë këtë dhimbje dhe se e di se ka nevojë të kthejë faqe për të rilindur”, ka kujtuar Cucolo. “Më thotë se më detyrohet mua, Devinit dhe të gjithë njerëzve që i duan më të mirën: duhet të kthehet sërish në jetë. I thashë menjëherë se isha në anën e saj, se do e mbështesja gjithmonë.” Ai e ka përkrahur pjesëmarrjen e partneres në Grande Fratello Vip.

Por nuk e kanë kursyer Del Santo-n komentet në rrjetet sociale. “Akoma gjallë kjo? Duhet t’ia kishte hequr vetes” “Mua më vdiq macja dhe më dolën rrudha nga të qarët. Kjo e tejkalon aq shpejt e madje hyn të bëjë spektakël” , “Në vend të rrinte me të birin e vetëm që i ka ngelur, shkon të bëjë spektakël”, janë vetëm disa nga komentet e ashpra në adresë të vajzës që e nisi karrierën e saj pikërisht me spektaklet. Por polemikat rreth saj janë rënduar, pas ish-drejtori i edicionit informativ La 7, gazetari Antonello Piroso, ka zbuluar se Lory nuk ka marrë pjesë në funeralin e të birit. “Nga frika se nuk hynte në Grande Fratello nuk ka shkuar as në funeralin e të birit” . Edhe protagonisti i edicionit të shkuar të Grande Fratello Vip, Cristiano Malgioglio ka folur rreth ngjarjes. “Jam i tronditur rreth asaj çka i ka ndodhur…Nuk duhej, nëse mendoj se është diçka e mirë për të…Por jo, nuk është, as për të, as për banorët. Në shtëpi ka strategji, momente të veçanta, unë duke parë një nënë që ka humbur një fëmijë do t’i qëndroja pranë e do ta përkëdhelja. E pastaj nuk do të ishte më një Grande Fratello i gëzueshëm. Reality show nuk është një terapi, shërohesh nga braktisja e bashkëshortit, por humbja e fëmijës është një vuajtje e pafundme e zemrës. Ajo thotë se aty brenda shkon për të harruar, por aty brenda nuk harrohet asgjë: je në një hapësirë për miq, pa lidhje me botën, je vetëm i izoluar dhe të mbërthen ankthi.”
E megjithatë, Lory Del Santo, po e jeton përvojën e saj në shtëpinë rrethuar me telekamera të Grande Fratello Vip. Të ketë rezultuar vallë terapeutike deri tani? Pavarësisht kritikave, ka edhe nga ata që shohin tek kjo grua, me dy tragjedi, shumë forcë për t’i përballuar fatkeqësitë me të cilat tw përball jeta dhe për t’u ngritur sërish më këmbë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë