Kosova

Pas tensioneve në Veri dhe kërkesës së SHBA, Kosova shtyn me 1 muaj vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyjë implementimin e vendimeve të reciprocitetit të letërnjoftimeve me Serbinë dhe atë për targa.

Vendimi është marrë pas takimit të krerëve shtetërorë të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier. SHBA-ja ka kërkuar të shtyhet implementimi i vendimeve për 30 ditë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sotme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Falënderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

SHBA: Të shtyhet për 30 ditë zbatimi i vendimeve për targat dhe dokumentet serbe

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i përgatitur për të intervenuar nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komnat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”.

Ky mision ka thënë se do të marrë çfarëdo mase që është e nevojshme për të mbajtur ambientin në Kosovë të sigurt në çdo kohë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës.

Petkoviq, në anën tjetër, ka akuzuar Kurtin për krizën.

“Fajtori i vetëm për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi është Alibin Kurti, i cili me lëvizjet e tij të papërgjegjshme po shkakton krizë të re në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviq në një deklaratë me shkrim.

Çfarë tha ambasadori amerikan?

Ambasadori amerikan është deklaruar për mediat pas takimit që ka zhvilluar me zyrtarë të lartë shtetërorë në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se “sipas pikëpamjes së Shteteve të Bashkuara të gjitha vendimet e Qeverisë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Qeveria amerikane nuk ka pasur shqetësim për to".

“Jam këtu që në emër të Qeverisë amerikane të kërkoj shtyrjen e zbatimit të këtyre dy marrëveshjeve për 30 ditë. Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime. Ne shpresojmë se do të punojmë me këtë Qeveri dhe kolegët nga Bashkimi Evropian që të sigurojmë se këto marrëveshje kuptohen më mirë dhe në këtë mënyrë të ulim tensionet.

Hovenier ka thënë se për asnjë moment nuk ka kërkuar që marrëveshjet të rishqyrtohen.

“Dua të përmend se jemi të shqetësuar që disa individë kanë vendosur të tregojnë pakënaqësitë për këto vendime duke krijuar barrikada apo duke kufizuar lirinë e lëvizjes. Ne nuk inkurajojmë diçka të tillë. Rruga e duhur është përmes dialogut civil”, ka thënë mes tjerash ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë