Interviste

Ish-gjenerali i NATO-s në Kosovë: Një shkëndijë mund të shkaktojë reaksione zinxhir mes serbëve dhe shqiptarëve

Gazeta Si - “Këto tensione ishin shfaqur vjeshtën e kaluar, tani ato përsëriten në një situatë shumë të ndryshme ndërkombëtare. Ekziston rreziku që një shkëndijë të shkaktojë reaksione zinxhir”.

Salvatore Farina, shef i shtabit të ushtrisë italiane deri vitin e kaluar, ish-komandant i forcave të NATO-s në Kosovë nga viti 2013 deri në vitin 2014 analizon situatën e tensionuar ditët e fundit në veri të Kosovës për shkak të “krizës së targave”.

"Ne duhet të shmangim incidentet dhe përplasjet ndëretnike, qoftë edhe të rastësishme apo të shkaktuara nga provokuesit, sepse ato mund të çojnë në një përshkallëzim", - tha ai në një intervitë për "Corriere della Sera".

Gjeneral, a ishte kjo pjesë një lëvizje Prishtinës?

Jo, besoj se as Prishtina dhe as Beogradi nuk shkojnë atje për të provokuar. Megjithatë, disa masa mund të modifikohen më mirë. Në fakt, Prishtina tashmë ka rënë dakord që të shtyjë afatin dhe të gjejë një zgjidhje më të pranueshme.

A është e mundur që Rusia qëndron pas tensioneve?

Nuk kemi prova, por marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës janë të shkëlqyera dhe Kina gjithashtu ka ndikim të madh. Kjo nuk do të thotë se ka një provokim të qartë.

A është e vërtetë që situata i ngjan asaj ukrainase?

Ne nuk mund t'i krahasojmë të dyja, si sfond historik, ashtu edhe si situatë aktuale. Sot nuk ka viktima apo vrasje. Në vitin 1999 u përballëm me dhunë flagrante ndaj popullatës civile. Prania e NATO-s, BE-së me misionin e Eulex-it, dhe OKB-së në Prishtinë është legjitime edhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare.

Tani çfarë duhet bërë?

Duhet të shohim në perspektivë. Kur u largova nga komanda në vitin 2014, shkrova një raport, duke shpjeguar se ishte koha për të bërë një plan dhjetëvjeçar. Edhe grupet etnike serbe edhe shqiptare janë bashkësi të animuara me qëllime të mira, duan të jetojnë në paqe dhe siguri, pastaj janë edhe provokuesit. Diplomacia evropiane ka hapur dyert për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Për mua është koha për ta përshpejtuar këtë proces.

Cila është detyra e KFOR-it?

Forca e Kosovës ka për detyrë të garantojë sigurinë, është e mbështetur nga autoritetet e Prishtinës dhe komuniteti serb. Suksesin e këtij operacioni e japin edhe shifrat: në qershor të vitit 1999, kontingjenti ndërkombëtar ishte 50 mijë vetë, me përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe me ndërtimin e institucioneve kosovare, shifra u reduktua. Sot janë 3.500 dhe ka një rezervë që mund të vendoset me vendim të Këshillit të Atlantikut nëse situata përkeqësohet.

A ka rrezik konflikti?

Unë besoj se nëse nuk ka provokatorë, nuk ka rrezik të afërt, por duhet të veprojmë për të parandaluar dhe nuk duhet të fryjmë zjarrin. Ne nuk mund ta kthejmë orën 23 vjet pas, bota sot nuk mund ta lejojë një gjë të tillë.

Çfarë roli luan Italia?

Nga mesi i shtatorit, ajo do të rifillojë rolin drejtues që ka pasur në faza të alternuara në fillim. Nga viti 2013, isha i pari nga një seri komandantësh italianë që kishin përgjegjësinë të drejtonin të gjitha forcat e NATO-s. Sot Italia merr pjesë me mbi 600 burra mes ushtrisë dhe karabinierisë. Roli ynë njihet mirë nga autoritetet e NATO-s, ne dimë ta bëjmë këtë punë në mënyrë të vendosur, por të paanshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë