Mendim

Pas takimit me Putin vendoset çmimi për Kosovën

Takimi i Presidentit Aleksandër Vuçiç me “vëllain e madh” Vladimir Putin, ka sjellë zhvillime të papritura për Kosovën, pasi një sërë mediash dhe analistësh rusë kanë sinjalizuar se presidenti serb mund të njohë Kosovën, në këmbim të anëtarësimit në BE.

Edhe pse nuk ndau shumë detaje me publikun, Aleksandër Vuçiç dukej i kënaqur me mbështetjen që kishte marrë nga presidenti rus. Pasi dy liderët u takuan për herë të dytë në Moskë këtë vit, Vuçiç ka falënderuar homologun e tij rus për mbrojtjen e interesave kombëtare të Serbisë, 

"Do doja të shprehja mirënjohjen time të thellë për ju personalisht, zoti President, për qëndrimin tuaj të fortë që ka për qëllim mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar dhe interesat vendimtare kombëtare dhe shtetërore të Serbisë," i tha Vuçiç Putinit në takimin e tyre më 2 tetor.

https://www.youtube.com/watch?v=-ziIeqLLS3Q

Putin dhe Vuçiç diskutuan jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe, por dhe tensionet në Ballkan dhe çështjen e Kosovës. Presidenti serb shkoi në Moskë me synimin e vetëm për t’i kërkuar mbështetje presidentit rus për "situatën në Kosovë". Duke folur për TASS pas rreth dy orësh bisedimesh me Putinin, Vuçiç shprehu kënaqësinë me rezultatin e takimit.

"Morëm gjithçka që kërkuam. Ramë dakord për gjithçka", tha ai, pa dhënë detaje.

Takimi me Putin erdhi katër ditë pasi Vuçiç urdhëroi ushtrinë serbe të vendosej në gatishmëri luftarake, për shkak të vizitës së Presidentit Thaçi në liqenin e Ujmanit.  Duke iu referuar ngjarjes, media e njohur ruse, “Russia Today”, shkruan se të shtunën e kaluar dhjetëra trupa kosovare kishin hyrë në një enklavë serbe në veri të Kosovës, duke marrë nën kontroll disa vende industriale. Televizioni rus arsyeton, duke iu referuar ekspertëve, se Vuçiç mund të njohë Kosovën nëse i garantohet hyrja në BE.

Ndërsa presidenti serb tha se situata e krijuar në veri të Kosovës pas “ndërhyrjes” së policisë së Kosovës do të ishte pjesë e diskutimit me Putinin, RT arsyeton se kjo ndërhyrje e Prishtinës kishte shkelur marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit. Pavel Kandel, një ekspert për konfliktet etnike në Institutin e Akademisë Ruse të Shkencave, shprehet për televizionin se Vuçiç është i gatshëm ta pranojë Kosovën nëse Serbia futet në BE.


Aleksander Vuçiç dhe Vladimir Putin takohen në Moskë

“Unë besoj se Vuçiç do të jetë i gatshëm të njohë pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit të Serbisë në BE. Por, shqiptarët në Kosovë nuk janë të gatshëm të pranojnë asnjë kompromis për të shpëtuar fytyrën e Vuçiqit”, përfundoi ai. Sipas Kandel, tensionet janë produkt i dobësimit të pozitave të dy liderëve.

“Thaçi, pozita e të cilit në Kosovë është dobësuar, me të vërtetë duhej të tregonte se sa i ashpër është, se si ai është në gjendje të kontrollojë situatën atje dhe madje mund të udhëtojë në veri të Kosovës bashkë me forca të armatosura. E njëjta gjë vlen edhe për Vuçiçin dhe për grumbullimin e ushtrisë së tij. Ai duhej të tregonte se ishte gjithashtu një lider i ashpër ” shprehet ai.

Ndërkohë, analisti serb i “Russia Today”, Aleksandar Paviç thotë se situata tashmë është qetësuar, por situata në zonë mund të eskalojë nga momenti në moment në dhunë. Sipas analistit, Vuçiç ka pak mbështetje në Serbi për t’u pajtuar me Kosovën për ndonjë marrëveshje të mundshme. Ai shkruan se dhe Rusia i ka bërë të qartë Vuçiçit se nuk do të mbështesë asjë marrëveshje të mundshme me Kosovën, nëse nuk ka mbështetjen e popullit serb.

“Serbia do të ketë përçarje të brendshme, sepse shumica e opinionit serb është kundër ndarjes. Kjo është një çështje shumë delikate si për presidentin serb edhe për presidentin rus”, tha ai.  Gjithashtu, analisti shtoi se nëse Kosova njihet si një shtet sovran nga Serbia, rezultati i mundshëm do të ishte që Kosova të bëhet pjesë e Shqipërisë, një anëtare e NATO-s dhe Moska e sheh NATO-n si një armike të Rusisë.

Aleksander Vuçiç dhe Angela Merkel

Duke folur në fillim të takimit të tij me Putin, presidenti serb tha se situata në Ballkanin Perëndimor ishte "shumë e vështirë" dhe se Serbia po përballet me "provokime të shumta.”

"Pavarësisht synimit tonë për të arritur kompromise dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, ne jemi shumë larg arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për çështjen e Kosovës," tha kreu serb

Këtyre deklaratave iu është përgjigjur nga Gjeneva, presidenti Hashim Thaçi, i cili tha se shihte një mundësi për një marrëveshje kufitare me Serbinë, duke paralajmëruar nëse kjo mundësi nuk do të shfrytëzohej mundësinë për të arritur një "marrëveshje historike", Kosova dhe Serbia do të përfshiheshin në një "konfliktit të ngrirë".

Por kjo nuk është hera e parë që mediat perëndimore aludonin se Vuçiç mund të tregohej i gatshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë më agjencinë e lajmeve “Reuters”  Vuçiç qartësoi para disa javësh see e nuk do të nënshkruante asnjë marrëveshje me shqiptarët e Kosovës, nëse vendit të tij nuk i garantohej hyrja në Bashkimin Europian. Presidenti serb sinjalizoi se negociatat me Prishtinën kanë hyrë në një fazë tejet të vështirë dhe mund të zgjasin deri në 10 vjet, për shkak të dallimeve dhe mosmarrëveshjeve të shumta mes dy vendeve. “Nëse arrijmë një marrëveshje me Kosovën, Serbisë duhet t’i garantohet se do të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2025. Pakti me Prishtinën do të përfshinte jo vetëm marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe një rezolutë të mirëpërcaktuar të rrugës sonë të BE-së .Më vjen të buzëqesh sa herë që dëgjoj se si njerëzit tek i thjeshtojnë gjërat …Unë do t’i jap Kosovës tre fshatra dhe do t’i marr në këmbim gjashtë të tjerë”, deklaroi ai.

Duke folur në atë kohë nga pallati presidencial në Beograd, Presidenti theksoi gjithashtu se fushata për zgjedhjet parlamentare të Parlamentit Europian në maj dhe rritja e popullaritetit të partive politike të krahut të djathtë në Europë mund të errësojnë perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës. “Vërtet mendoni se qytetarët e BE-së do të donin të dëgjonin për perspektivat e anëtarësimit të Serbisë gjatë fushatës parlamentare?” pyeti ai. “Tani për tani nuk e dimë se ku janë kufijtë tanë. Por askush në rajon nuk duhet të ketë frikë nga asnjë marrëveshje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, përkundrazi, pakti Beograd-Prishtinë do ta bënte rajonin më të fuqishëm, më të qëndrueshëm dhe më tërheqës”, përfundoi Vuçiç.

Aleksander Vuçiç 

Në kulmin e debatit për ndryshime kufijsh në Ballkan, Serbia ka marrë përforcimin e parë të flotës ushtarake ajrore nga Kremlini. Aktualisht, Beogradin e thotë se është në bisedime me Rusinë edhe për blerjen e helikopterëve luftarakë dhe për operacione kërkim-shpëtimi, por edhe për sisteme të mbrojtjes kundërajrore. Moska, sipas Shteteve të Bashkuara, ka në Serbi të maskuar si qendër humanitare, bazën më të madhe ushtarake dhe të spiunazhit në rajon. Nga ana tjetër, falë mbështetjes së Rusisë, Serbia siguroi një levë të fuqishme diplomatike në arenën ndërkombëtare. Moska rriti vazhdimisht ndikimin në Ballkan, falë koncesioneve periodike, korruptimit të zyrtarëve vendas dhe lidhjet ekonomike dhe politike me vendet e tjera të rajoni.

Beogradi po mundohet të balancojë prej kohësh afrimin me Rusinë dhe negociatat me Brukselin. Serbia po përpiqet të lëvizë drejt anëtarësimit në BE, por njëkohësisht të forcojë lidhjet tradicionale me Moskën. Vuçiç po angazhohet për balancimin e këtyre lidhjeve duke e çuar Serbinë drejt modelit të premtuar nga BE-ja për standarde më të larta jetese, punë pa viza dhe udhëtim në të gjithë Europën, si edhe heqjen e barrierave tregtare.

Por për të mbajtur anën e Rusisë, Serbia refuzon të anëtarësohet në NATO dhe premton ruajtjen e neutralitetit ushtarak në rajon. Duke folur për miqësinë serbo-ruse, ministri i Jashtëm Daçiç tha së fundmi se: “Perëndimi mund të blejë gjithçka në botë përveç miqësisë dhe vëllazërisë së Serbisë dhe Rusisë. Moska ka qenë, mbetet dhe do të vazhdojë të jetë partneri ynë strategjik. Ne nuk mund të mbrojmë veten dhe as interesat tona pa ndihmën e Rusisë, ndaj do të flasim me ta për çdo rast dhe çdo vendim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë