Politike

Besnik Muçi nuk është më anëtar, Presidenca hap vakancën

Presidenti Ilir Meta priti në një takim Besnik Muçin pasi ky i fundit dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese një letër, ku vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nuk e lexon si shkarkim nga pozicioni i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm si shkarkim nga statusi i prokurorit.

Në njoftimin e shpërndarë, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë njeh vakancën e krijuar nga largimi i Besnik Muçit pas vendimit të KPA-së dhe thuhet se Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar atij që të tëhiqet nga kërkesa e drejtuar për Gjykatën Kushtetuese.

“Presidenti Meta i kërkoi zotit Muçi që të vlerësonte mundësinë që të rishikonte qëndrimin e tij më të fundit për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehej me vendim për të deklaruar përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar kushtetues”, thuhet në të.

Ndërkohë, po sipas deklaratës së Presidencës, Besnik Muçi nuk përjashton mundësinë që personalisht t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, duke akuzuar Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për diskriminim.

Megjithatë, ai është shprehu i gatshëm që të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe të Presidentit të Republikës, duke nënkuptuar këtu edhe shpalljen e vakancës prej Ilir Metës.

“Zoti Muçi e garantoi Presidentin Meta se do të mirëkuptojë çdo veprim të mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës, për të vijuar procesin midis tyre në lidhje me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Që Presidenti të shpallë vakancën, duhet që më parë të marrë një njoftim informues për vakancën e krijuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit, fillimisht virtualisht e ka shpallur këtë vakancë, duke hequr nga faqja zyrtare në internet Besnik Muçin nga lista e anëtarëve të saj, ndërsa më vonë njoftoi Presidencën për vakancën e krijuar.

Gjykata Kushtetuese ka hequr nga faqja e saj zyrtare emrin e Besnik Mucit nga lista e anëtarëve të saj. Gazeta Si, 22 nëntor 2019

Presidenti nuk vonoi dhe e shpalli vakancën, duke u hapur rrugë nisjes nga e para të procedurës së plotësimit të vendit të lënë bosh nga Besnik Muci.

Ndërkohë, sa i takon shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Presidenti Meta ka vendosur që ta ushtrojë këtë të drejtë në ditën e fundit të afatit që i përcakton Kushtetuta, duke u zotuar se KED-në e re do ta ndjekë me përpikmëri të gjithë aktivitetin dhe vendimet e kësaj KED-je.

“Presidenti Meta ka vendosur që shorti për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do të realizohet nga institucioni i Presidentit të Republikës në datë 5 dhjetor 2019 dhe pas fillimit të funksionimit të KED-së së re, do ta ndjekë me shumë rigorozitet gjithë veprimtarinë e saj, për të mos lejuar më asnjë devijim nga parimet dhe dispozitat kushtetuese dhe të ligjit për të mbrojtur integritetin e mëtejshëm të gjithë procesit për ngritjen dhe funksionimit e plotë të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Presidenca.

60 minutat në zyrë të Besnik Muçi

Ditën e premte Besnik Muçi e nisi duke sfiduar vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që e shkarkoi për probleme me pasurinë. Ai i qëndroi deklaratës së bërë në përfundim të seancës së të enjtes, ku tha se KPA e kishte shkarkuar vetëm nga pozicioni i prokurorit, jo si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, për të cilët, siç pretendon Muçi, vettingu nuk ka kompetencë dhe bazë ligjore referuese.

Mbi këtë bindje, Muçi u paraqit edhe fizikisht, edhe përmes një letre ku i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të vendosë në lidhje me mandatin e tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Muçi hyri në godinën e Gjykatës Kushtetuese i papenguar nga 2 rojet e sigurisë. Më pas, burime të gazetës “Si” thanë se si çdo ditë që prej 18 tetorit, kur u betua para Presidentit Ilir Meta si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi i është drejtuar zyrës së tij, që e ka në katin e dytë të ndërtesës.

Besnik Muçi duke dalë nga seanca e Kolegjit të Posacëm të Apelimit që e shkarkoi ditën e enjte. Gazeta Si, 22 nëntor 2019

Gjatë ngjitjes së shkallëve dhe nëpër korridoret e gjykatës, Besnik Muçi shmangu takimet si me anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe me pjesëtarë të administratës ndihmëse të kësaj gjykate.

Por, qëndrimi brenda në zyrë nuk ka zgjatur shumë. Burime të sigurta të gazetës “Si” thanë se ai ka qëndruar rreth 60 minuta dhe më pas është larguar. Për largimin ka përdorur rrugë tjetër nga ajo që hyri. Burimet thonë se Besnik Muçi u largua nga dalja e pasme e Gjykatës Kushtetuese, ku është futur menjëherë në një mjet dhe është larguar, duke shmangur tërheqjen e vëmendjes dhe komunikimin me mediat që e prisnin jashtë.

Orari zyrtar i punës është 8 orë, ndaj pyetja që u ngrit ishte se si mund të lexohej ky qëndrim i shkurtër i Besnik Muçit në zyrë? A ishte tërhequr ai nga deklarata e një dite më parë kur tha se edhe pas vendimit të KPA-së mbetet anëtar i Gjykatës Kushtetuese? Apo u tërhoq nga ky qëndrim dhe hyrja nga dera kryesore si anëtar këtë të premte ishte e fundit dhe në 60 minutat e qëndrimit në zyrë ka marrë sendet personale?

Përgjigjia mbërriti kur Gjykata Kushtetuese bëri publike një letër të nënshkruar nga Besnik Muçi me statusin “anëtar i Gjykatës Kushtetuese”. Në këtë letër, duke iu referuar neneve të Kushtetutës, të ligjit të vettingut dhe të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Besnik Muçi kërkon një vendim nga ana e kësaj të fundit nëse i ka përfunduar mandati apo jo.

“Në këto kushte i kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që të inicioni procedurën e verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të mandatit tim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese”, thotë ai.

Letra mbyllet me sqarimin se çfarëdo të bëjë Besnik Muçi deri kur Gjykata Kushtetuese të vendosë. “Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore”, shkruan Muçi.

Kjo nënkupton se Besnik Muçi do të vazhdonte ta konsideronte veten anëtar të Gjykatës Kushtetuese, deri kur kjo e fundit të marrë një vendim (apo interpretim) në lidhje me mandatin e tij.

Qëndrimi i Besnik Muçit ra ndesh me qëndrimin e disa ekspertëve, me të cilët gazeta “Si” komunikoi ditën e enjte. Në prononcimet e dhëna, ata thanë se pas vendimit të KPA-së ai nuk është më anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe se me këto interpretime të Kushtetutës vendi po shkon drejt kaosit.

E vetmja rrugë për Besnik Muçit që të kundërshtojë vendimin e KPA-së, edhe sipas ekspertëve, është që t’i adresohet Strasburgut, duke u bërë kështu subjekti i dytë i vettingut që i drejtohet Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, pas Altina Xhoxhajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë