Politike

Pas takimit me Bashën, Meta: Parlamentin do e shpërndajë populli

Presidenti Ilir Meta i rikthehet takimeve me opozitën, duke pasur në fokus konsultimet mbi nismat më të fundit të mazhorancës, e konkretisht miratimin e ligjeve “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve” dhe të “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Një ditë pas akuzoi ashpër mazhorancën për organizimin e grushtit të shtetit me miratimin e këtyre ligjeve dhe veçanërisht atë për heqjen e kompetencave për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, presidenti Meta mësohet se ka thirrur në një takimin kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
Lajmi bëhet i ditur nga vetë zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, i cili thekson se “Meta e ka njohur kryedemokratin me skandalet e fundit antikushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti, dhe i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare”.
Më tej theksohet se “presidenti Meta bëri të qartë se do të bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton”.
Presidenti në konferencën e jashtëzakonshme të së hënës bëri të ditur fakte të reja që sipas tij implikojnë kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, në përpjekjen për të marrë kompetencat për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Këto prova, Meta bëri të ditur se do t’ia dërgonte si shtesë në kallëzimin që ka bërë personalisht ndaj Dvoranit për marrjen e kompetencës, ku shpalli Arta Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, në një kohë që kjo e drejtë i takonte presidentit.
Gjithashtu presidenti bëri të ditur se nuk do të lejonte marrjes e asaj që e cilësoi të kështjellës së fundit nga mazhoranca, si dhe paralajmëroi se do të shkonte vetë në komisionin e Venecias për t’u mbrojtur ndaj këtyre akteve mazhorancës.
Këto takime dhe lëvizje duken në një sinkron, pasi konferencës së presidentit, Partia Demokratike me anë të një deklarate, e cilësoi si të drejtë akuzat e reja ndaj Dvoranit. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Bardhi kërkoi që të SPAK të vihet menjëherë në lëvizje dhe të veprojë ndaj Dvoranit.

Por menjëherë pas takimit, zëdhënësi i presidentit mbajti një tjetër qëndrim në rrjetet sociale, duke bërë një paralajmërim të fortë për vendimet e ardhshme të Metës, i kundërpërgjigje ndaj mazhorancës.
“Parlamentin do e shpërndajë populli. Presidenti vetëm do zbatojë vullnetin e tij. Dhe dekretin për kthimin e ligjit për grushtin e shtetit do e vendosë populli. Presidenti vetëm do e firmosë në emër të tij. Do ketë disa dekrete për shpartallimin e grushtit të shtetit. bëni durim! dekretet do t’i zbatojë populli shqiptar!”, shkruan zëdhënësi Blushi në rrjetet sociale. Prej kohësh, ka pasur qëndrime se presidenti mund të merrte një hap për shpërndarjen e Parlamentit, duke e lidhur këtë me faktin se ky institucion nuk ka legjitimitetin, pasi ka vetëm 122 nga 140 deputetë që duhet të ketë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë