Nga Gazeta 'Si'-Kosova do të lejojë lëvizjen e automjeteve serbe në territorin e saj, pa letër ngjitëse në targa.
Vendimi u njoftua mbrëmjen e së enjtes(4 janar) dhe vjen pasi Beogradi ndërmori një hap të ngjashëm duke lejuar lëvizjen e lirë të automjeteve me targat RKS nga fillimi i kësaj jave.
Sipas qeverisë së Kosovës heqja e regjimit të letrës ngjitëse është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia.
Më herët Kurti e kishte cilësuar si një manovër politike vendimin e presidentit Vuçiç, që sipas tij synonte zbutjen e ndërkombëtarëve mes kritikave për zgjedhjet dhe sulmit të Banjskës.
Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia arritën fillimisht një marrëveshje më 2011, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Pas tensioneve që shkaktoi çështja e targave, në shtator 2021 u arrit një marrëveshje e përkohshme që parashikonte vendosjen e letër ngjitësve në simbolet shtetërore në targa, në automjetet e secilit shtet.
Për disa qytetarë serbë në veri të Kosovës, vendimi i Qeverisë së Serbisë për targa RKS ka qenë i “mirë” e për disa të tjerë “tradhti”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 31 dhjetor se vendimin për ta lejuar lëvizjen e lirë të automjeteve me targa RKS nëpër Serbinë qendrore, qeveria e tij ka shmangur grackat dhe rreziqet e mëdha për vendin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.