Kosova

Kurti: Targat RKS po qarkullojnë lirshëm në Serbi. Në rast se ata ndryshojnë sjellje, të njëjtën gjë do bëjmë dhe ne

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bazuar në raportin e Policisë së Kosovës, targat e makinave RKS po qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë.

Në një status në Facebook Kurti shprehet se ky vendim po vjen pas përdorimit dyvjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri dhe si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje.

"Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë.

Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021, përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022. Kurse në dhjetorin e vitit që porsa lamë pas 2023, ky vetëdiciplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiç drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023.

Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë: manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake.

Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit, të standardeve ligjore të Bashkimit Evropian që rregullojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe të automjeteve. Do të vazhdojmë të jemi parimorë dhe konstruktivë", shkroi Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë