Pas një ditë me përplasje politike, ku Parlamenti rrëzoi në bllok tetë dekretet e presidentit për kthim ligjesh, si dhe i rrëzoi emrin e tretë për kryetar të KLSH-së, Meta e ka nisur sot ditën me mesazhe nga Gjiri i Lalëzit. Së bashku me aktorin e humorit, presidenti ka dalë në breg të detit për të peshkuar. “Mirëmëngjes ! Me Bes Kallakun, e nisëm për peshk e po kapim dallgë”, ishte mesazhi i tij.
Edhe më parë, kreu i shtetit gjatë kohës së pushimeve nuk ka ngurruar që të japë mesazhe të koduara me aktorin e preferuar të tij, Kallakun.
Pas rrëzimit të dekreteve, ditën e djeshme Meta reagoi sërish ndaj refuzimit në bllok të mazhorancës, duke publikuar në rrjetet sociale një foto të tij së bashku me Ramën, gjatë kohës kur ishin një koalicion qeverisës dhe së bashku dilnin në fushatë elektorale.
“O Zot ç’më ka gjetur me këtë njeri! Unë dua t’i jap “Urdhrin e Skënderbeut”, ky kërkon vetëm “Urdhrin e Tao-Spiropalit”!”, do të shkruante kreu i shtetit në rrjetet sociale.
Mazhoranca, ashtu si dhe presidenti janë në pritje të raportit të komisionit të Venecias, ku ekspertët e tyre pas misionit faktmbledhës në Tiranë do të hartojnë një raport paraprak nëse Meta ka shkelur Kushtetutën ose jo me dekretin e firmosur për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Deri më 11 tetor, ditë kur do të dalë raporti i Venecias, kjo periudhë do t’i shërbejë politikës të reflektojë, pse jo edhe si kohë për t’u relaksuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.