Njerez

Pas rënies së ISIS, në kampin me gratë e fëmijët që askush nuk i do

Kampi Al-Hol në veri-lindje të Sirisë është një vend i mbushur me zemërim dhe me pyetje pa përgjigje. Brenda janë gratë dhe fëmijët e humbur të grupit xhihadist ISIS, të braktisur nga burrat, kalifati dhe qeveritë e botës.
Disa prej tyre ende janë me ideologjinë e ISIS-it dhe me urrejtje shprehen “ne jemi të mposhtur”, ndërsa të tjerat kërkojnë një mënyrë për të shpëtuar.
Edhe pse qeveritë perëndimore janë të zemëruara, kjo nuk do të thotë se fëmijët e tyre duhet të vdesin. Umm Usma, një grua marokeno-belge kujton kohën kur ndihmoi gratë dhe fëmijët e Sirisë prej gjashtë vitesh në kamp.
“Kjo është zgjedhja ime. Në Belgjikë unë nuk mund të vesh perçen time, edhe pse kjo është ajo që unë dua. Nëse feja është diçka e keqe, atëherë na tregoni ju se cila është e mira,” shtoi ajo.
Ndërsa ajo bërtet së bashku me një grup grash të veshura më të zeza, një prej grave tregon se si i është djegur fëmija.
“Shikoni se çfarë kanë bërë,” thërret ajo duke iu referuar forcave të mbështetura nga SHBA.
Sipas tyre, Al-Hol është një makth, i banuar nga 11.000 njerëz të pafajshëm. Umm Usma thotë se nuk është e nevojshme që të kërkohet falje për sulmin e ISIS në vitin 2016 në qytetin e Brukselit, ku u vranë 32 njerëz. Në mendje ajo ka vetëm sulmet që SHBA i ka bërë vendit të saj.

“Unë e kam parë veten të mbuluar nga viktimat. Perëndimi dhe goditjet e tij, kundër ISIS janë fajtorë për mjerimin që ka kapluar të gjitha gratë e kampit. Urrejtja dhe dhuna e kryer nga ISIS janë harruar, në krahasim me ato çfarë ka bërë SHBA. Nuk do të flas për atë që bëri burri im,” thotë ajo. Gjithashtu, ajo shprehet se ka jetuar edhe nën demokraci, por edhe nën ISIS dhe e di se cila është më e mira.
Vetëm dy javë pas sulmit të fundit në Baghouz, kurdët vendosën armëpushim në mënyrë që gratë, fëmijët dhe të plagosurit mund të largoheshin.
“Në një ditë u vranë të paktën 2000 njerëz. Kishte automjete të parkuara në mesin e çadrave që ishim ne. E dinim që automjetet ishin shënjestra e tyre, kështu që u thamë t’i hiqnin, por ata nuk e bënë,” thotë një djalë i vogël iranian i cili i mbijetoi luftës.
Kur luftimet mbaruan, Baghouz u pastrua nga kufomat para se mediat të arrinin. Burrat e ISIS nuk ishin vetëm ushtarë në një fushë betejë, por kishin sjellë me vete edhe gra e fëmijë në mënyrë që të ushtronin presion kundrejt ushtarëve kurdë. Rreth 169 fëmijë kanë vdekur që nga lufta civile në Baghouz, ndërsa ata që kanë mbetur rrezikohen nga sëmundje të ndryshme, një detaj që qeveritë perëndimore duket se e kanë harruar.

Ata që gjenden në këtë kamp, nuk i do askush. Disa qeveri i kanë marrë njerëzit të cilët kishin shkuar në Shtetin Islamik, ndërsa Rusia, Arabia Saudite, Maroku, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar nuk kanë asnjë plan për të riatdhesuar ushtarët ose familjet e tyre.
Gratë me ide ekstremiste mbahen të veçuara dhe mbahen nën vëzhgim gjatë gjithë kohës. Në këtë kamp ideologjia është më e rrezikshme. Gjatë gjithë kohë gratë kërkojnë të lirohen. Shtetësia e tyre është e ndryshme, duke përfshirë edhe vendet perëndimore.
Leonora Mesing, një pjesëtare e ISIS, shprehet se gratë tuniziane dhe ruse janë më të egrat, gjithashtu ato kanë qenë të fundit që kanë dalë nga lufta e Baghouz.
Sekretari i jashtëm britanik ka thënë se është shumë e rrezikshme për diplomatët që të udhëtojnë në Siri, si dhe ende nuk ka një plan riatdhesimi për gratë dhe fëmijët.
Kushtet në kamp janë të këqija, nuk ka kanalizime dhe gjithandej mban një erë të keqe dhe askush nuk ka një përgjigje për ta. Ndoshta për banorët e Irakut do të ketë një zgjidhje sepse atje do të ndërtohen kampe të reja.
Kjo ndoshta do të pakësojë popullsinë në kamp, por kjo nuk është një zgjidhje për pyetjet e vazhdueshme që kanë banorët e Al-Hol për perëndimin. Sa mëshirë duhet treguar tek një armik që nuk ofroi asnjë të mirë dhe çfarë do të bëhet me gratë dhe fëmijët tashmë që ISIS është zhdukur? /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë