Biznes

Pas protestave, Adidas shlyen qiratë e dyqaneve

Adidas, i cili kishte likuiditet neto 873 milionë euro në fund të dhjetorit, paralajmëroi se përkundër të gjitha këtyre masave, do të duhet kredi shtesë për të lehtësuar ndikimin e krizës

Adidas ka ndryshuar vendimin për të pezulluar pagesat e qirave për dyqanet e mbyllura nga masat e marra kundër koronavirusit, por paralajmëroi se nuk mund të përballonte për gjatë situatën e bllokimit të bizneist.

Në një letër të hapur që do të botohet si një reklamë në disa gazeta gjermane të enjten, prodhuesi i dytë më i madh në botë i veshjeve sportive tha se kishte kryer të gjitha pagesat e qirave të muajit prill pronarëve.

Kompania e quajti vendimin e saj të mëparshëm për shtyrjen e pagesave "një gabim" që zhgënjeu publikun gjerman, si dhe një numër të madh të konsumatorëve globalisht. "Ne kërkojmë falje për këtë," shkroi Adidas.

Kompania e pyetur nëse vendimi për të mos shtyrë qiratë do të zbatohej edhe për maj, Adidas është shprehur se shpreson që dyqanet të rihapen në muajin maj.

Rivali i Nike ishte një prej disa kompanive të mëdha me pakicë që pezulloi pagesat e qirave globalisht ditët e fundit, me argumentin e mbrojtjes së likuiditetit në mesin e një kolapsi të shitjeve pasi qeveritë vendosën bllokime të forta në jetën publike për të ngadalësuar pandeminë e koronavirusit.

Vendimi i Adidas çoi në një protestë publike në Gjermani. Ministri i financave të vendit Olaf Scholz gjatë fundjavës tha se ishte "irrituese kur kompanitë e mëdha njoftojnë thjesht për ndalimin e pagesave me qira".

Katarina Barley, një politikane e njohur e Partisë Social Demokratike e cila është nënkryetare e Parlamentit Europian, tha se ajo do të bojkotojë produktet Adidas - një qëndrim që u bë jehonë e shumë konsumatorëve të zemëruar në mediet sociale.

Në letër, Adidas pranoi se vendimi i kompanisë ishte perceptuar si "mungesë solidariteti" nga publiku. "Drejtësia dhe fryma e ekipit kanë qenë gjithmonë të lidhura ngushtë me Adidas," tha kompania, duke shtuar se dëshironte të sigurohej që kjo do të mbetet njëjtë edhe në të ardhmen.

Adidas tha se kriza e koronavirusit ishte "një situatë e jashtëzakonshme" dhe se po përballet me "sfida të papprecedentë çdo ditë". "Ne bëmë një gabim dhe shkatërruam shumë besimin," tha kompania, duke premtuar se do të bëjë "gjithçka" për ta fituar atë përsëri.

Grupi pohoi se është goditur fort nga kriza e koronavirusit. "Pothuajse kudo në botë, nuk ka më asnjë aktivitet normal biznesi," tha kompania, duke shtuar se "edhe një kompani e shëndetshme si Adidas nuk mund ta durojë këtë për një kohë të gjatë".

Të martën, grupi anuloi planet për të blerë aksione me vlerë 1mld euro këtë vit dhe në Gjermani po përdor një skemë qeveritare që lejon kompanitë të transferojnë staf ndërsa shteti mbulon një pjesë të pagave të tyre.

Kompania gjithashtu po zvogëlon gjysmën e pagës mujore të shefit ekzekutiv Kasper Rorsted dhe anëtarëve të tjerë të bordit ekzekutiv. Adidas, i cili kishte likuiditet neto 873 milion euro në fund të dhjetorit, paralajmëroi se përkundër të gjitha këtyre masave do të duhet kredi shtesë për të lehtësuar ndikimin e krizës./FinancialTimes/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë