Politike

Pas Pjetrit, PD nxjerr një tjetër kryebashkiak: Kajmaku, i dënuar nga Greqia

Partia Demokratike nxjerr një tjetër emër të kryebashkiaku të ri të lidhur me krimin. Bëhet fjalë për Agim Kajmakun e Vorës. PD-ja i ka dërguar një letër Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer verifikimin e së kaluarës së kryebashkiakut që u zgjodh në zgjedhjet e 30 qershorit.
“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke”, thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, drejtuar organit të Akuzës.
Në letrën e saj opozita ngre pretendimet se Kajmaku ka fshehur faktin se për 12 vite me radhë nuk ka kaluar ndonjëherë kufirin grek, edhe pse ka pasur një emër tjetër Jorgo Toto (Toro i përmendur nga PD), emër i deklaruar edhe në formularin e Dekriminalizimit.

Letra e PD-së drejtuar Prokurorisë


“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”- argumenton PD në kërkesën për verifikimin e figurës së Agim Kajmakut, që mban.
Njësoj si në rastin e Valdrin Pjetrit, per te cilin prokuroria nuk ka akoma një përgjigje, PD e ka shoqëruar kërkesën e saj me 500 firma qytetarësh.
“Nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, Partia Demokratike e Shqipërisë pret një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synimin që të arrihet qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Konkretisht, qëllimi i ligjit është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to të personave, të cilët janë dënuar për kryerjen të krimeve”- thuhet në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Letra e PD-së drejtuar Prokurorisë

Akuzave të PD-së, Kajmaku iu përgjigj me dokumente
Pas këtyre akuzave ka pasur edhe një reagim të kryebashkiakut të Vorës, i cili i hodhi poshtë sulmet e PD-së. "Kam punuar në Greqi, por jam krejtësisht i pastër dhe vazhdoj punën në krye të baskisë. Aktualisht jam duke zhvilluar takime me popullin”, tha Kajmaku për mediat. Partia Demokratike prej ditësh kishte sulmuar kandidatin e PS-së për bashkinë e Vorës, Kajmakun si të lidhur me krimin dhe i dënuar. Që përpara zgjedheve përfaqësues të PD-së sulmonin këtë kandidat duke e akuzuar për të kaluarën e tij, që për opozitën ishte e dyshimtë.

Dokumenti i publikuar nga Kajmaku ku rezulton i padënuar

Një ditë pas kryerjes së betimit, Kajmaku do t’i përgjigjej akuzave të PD-së, duke i deklaruar se ka udhëtuar në Greqi pikërisht përpara se të kandidonte, duke i paraprirë kështu akuzave të opozitës. Me anë të një postimi në Facebook të datës 6 gusht, Kajmaku do të nxirrte si foto edhe pasaportën me vulën në pikën e kalimit kufitar nga Kakavija, pikërisht në datën 14 maj maj.

Pasaporta e Kajmakut, ku vërteton sipas tij që ka kaluar shtetin grek, vula e doganës së Kakavijës

“Pavarësisht ndryshimit të emrit për arsye dokumentare, unë Agim Kajmaku gjithmonë kam mbajtur të njëjtin emër të babait, nënës dhe të ditës time të lindjes edhe me emrin Jorgo Toto. Prandaj është shumë kollaj e verifikueshme a kam qenë i dënuar apo jo. E dija që kur i hyra kësaj rruge për të drejtuar Bashkinë e Vorës, se Sali Baba me dyzet qentë e tij do të sulmonin për me kafshu! Prandaj kalova kufirin para se të dorëzoja kandidaturën time, që t’i kisha këto foto me të cilat përshëndes Sali Babën dhe dyzet qentë e vet dixhital”, do të shkruante Kajmaku. Gjithashtu ai do të shoqëronte këtë postim edhe me dokumente të marra nga shteti grek ku faktohej se nuk ishte i dënuar.
Në bazë të dokumentit të dorëzuar në KQZ, Kajmaku gjithashtu deklaron se ka jetuar jashtë shtetit në Greqi nga viti 1991-1996, si dhe ka punuar në Itali në Ascoli Picena Fermo, për ushtrim biznesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë