Lajme

Pas një viti ankimesh e hetimesh, “Gjoka” nis ndërtimin e tunelit Kardhiq-Delvinë

Ka nisur sot (e hënë) puna për tunelin 1,2 km i rrugës Delvinë-Kardhiq, një projekt shumë i rëndësishëm i qeverisë Rama, por që gjatë rrugëtimit ka patur shumë pengesa dhe përplasje mes institucionesh.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i qeverisë Edi Rama përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Me anë të një videoje të shkurtër ai ka pasqyruar punimet e deri më tanishme.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/334173537756486/

“Dhe me lajmin e mirë të nisjes sot të punës për Tunelin e rrugës Delvinë-Kardhiq, që do të finalizojë lidhjen e një aksi strategjik të infrastrukturës sonë kombëtare, ku po punohet intensivisht për realizimin e një tjetër premtimi dhjetravjeçar të të gjitha qeverive të mëparshme, ju uroj një javë të mbarë”- shkruan Rama.

Deri më tani nga kjo rrugë e nisur që në vitin 2008, ka përfunduar loti i 1,2 dhe 3 ndërkohë që në lotët 4, 5, 6 realizimi fizik ka arritur në masën 80%. Tuneli i Kardhiq-Delvinë është pjesë e lotit të 7-të.

Tuneli do të ndërtohet nga kompania ‘Gjoka Kostruksion’.

Komisioni i Prokurimit Publik do të vendoste pak kohë më parë pas më shumë se një viti shtyrje të vendimit për shkak të ankimimeve dhe hetimeve, që kompania Gjoka, e cila ka pasur ofertën më të ultët në tender, të shpallet fituese për të ndërtuar këtë tunel i cili kushton 19 mln euro.

Kardhiq-Delvinë, punime

Tenderi për tunelin në qafën e Skërficës do të çelej në prill 2019. Në garë u paraqitën 6 oferta:

Gjoka Konstruksion-Cobail-JV Gr Albania 14,6 milionë euro (1,7 miliardë lekë);

Pe-Vla-Ku 15,4 milionë euro (1,8 miliardë lekë);

Fusha-Aydiner Inssat Anonim Sikerti-Gjeokonsult 16 milionë euro (1,9 miliardë lekë);

Gener 2-Seedc Consulting-Infra Konsult 17 milionë euro (2 miliardë lekë);

Alb Building-BeIs-F&S-C.E.C Group-Nord-Comat 18,8 milionë euro (2,295 miliardë lekë);

IRCOP-Sulova-Vega-AE Engineering 18,9 milionë euro (2,299 miliardë lekë).

Më 17 qershor, Autoritetit Rrugor Shqiptar do të skualifikonte 5 ofertat më të ulëta dhe do të shpallte fitues bashkimin e kompanive ku bënte pjesë Sulova. Ky grup kishte dhënë ofertën më të lartë – 18.9 milionë euro.

Kompania Gjoka do të ankohej në KPP. Më 9 korrik komisioni do të vendoste në favor të saj, duke anuluar vendimin e ARRSH dhe duke kërkuar të zbatonte vendimin e KPP brenda 10 ditëve.

Por prej 9 korrikut kur KPP do të vendoste në favor të kompanisë Gjoka, ARRSH nuk e zbatoi vendimin edhe një muaj pasi vendimi i KPP u zbardh në faqen e saj.

Mandej krejt beftë, më 12 shtator Ministria e Infrastrukturës do të bënte me dije se kishte vendosur ta anulonte tendering për prioritete më të rëndësishme, ndërkohë që Kardhiq-Delvinë ishte shpallur si një prej kuajve të betejës së kësaj qeverie.

“Ministria ka të drejtë që t’i japë prioritet disa nga çështjeve emergjente që mund të ketë, dhe nuk ka lidhje ka fonde apo s’ka fonde. Këto janë prioritetet momentale që ka Ministria. Po flasim për shtyrje të procesit. Kjo shtyrje procesi vjen për shkak sepse ka një projekt tjetër i cili është më emergjent. Ju duhet ta kuptoni që ARRSH nuk bën vetëm rrugë të reja. Kemi ura, rrugë të cilat mund të kenë emergjenca dhe duhen mbuluar.”- do të citonte Balluku.

Vendosja e “prioriteteve të tjera” do të nënkuptonte se 4,5 milionë eurot (560 milionë lekë), që ishin parashikuar për nisjen e punimeve të tunelit, do të përdoreshin gjetkë.

Qeveria nuk do të artikulonte asnjëherë emergjencën që e bëri asokohe të ndryshonte fokusin e prioritetit.

Asokohe, Partia Demokratike do të akuzonte  ARRSH-së se kishte shpallur fituese bashkimin e disa kompanive me kompaninë Sulova, pas të cilave fshihej realisht  kompania Vëllezërit Hysa, e përfshirë edhe në megaskandalin e DH-Albanias me tenderin e Unazës së Madhe.

Ky bashkim kompanish kishte dhe ofertën më të lartë, 18.9 milionë euro, rreth 98.5 për qind të fondit të vënë në dispozicion nga qeveria.

Por në krye të vitit, kryeministri Rama në vazhdën e ngutjes elektorale e rikthen Kardhiq-Delvinë në vëmendje si prioritet të vjetër.

Projekti i rrugës Kardhiq-Delvinë

Projekti ka të bëjë me një rrugë prej 36.5 km i cili është planifikuar qysh në vitin 2007.

Tuneli 1,2 km që do të ndërtohet në qafën e Skërficës dhe sipas projektit përfundon në 2021, synon të shkurtojë distancën Tiranë-Sarandë në më pak se 3 orë udhëtim. Punimet janë ndarë në 8 segmente me 8 tendera të ndryshëm.

Tre segmentet e para janë gjithsej 16.6 km, tre të dytët 14.6 km.

Kostoja për përfundimin kap shifrën 60 milionë euro, kurse vetëm tuneli kushton 19 mln euro.

Ky aks rrugor ka si qëllim të ndikojë në zhvillimin turistik të vendit, impakti i së cilit do të jetë dhe në ekonomi në tërësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë