Komunitet

Pas një jave hapet lotaria amerikane

Prej orës 18:00 të datës 2 tetor dhe deri në orën 17:00 të datës 5 nëntor 2019, të gjithë qytetarët shqiptarë që nuk u ka buzëqeshur fati në lotaritë e mëparshme për të marrë vizën amerikane, mund ta provojnë sërish.

Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se përgjatë kësaj periudhe do të qëndrojë i hapur seksioni i aplikimeve online. Njoftimi shoqërohet me një link që të çon tek udhëzimet e plotësimit të dhëna me detaj, që nga formati i fotografive që duhet e deri tek shmangia e çdo deklarimi të rreme.

Për një deklarim të rremë u ndalua para pak ditësh në Ambasadën Amerikane një shtetas shqiptar. Ai kishte fituar lotarinë amerikane, por kishte gënjyer në lidhje me arsimin e mesëm, duke paraqitur një diplomë të falsifikuar.

Prej disa vitesh, shqiptarët renditen të parët sa i takon numrit të aplikimeve në krahasim me numrin e popullsisë. Në 2017 ishin plot 367 mijë aplikantë, ose mbi 10 për qind e popullsisë që provuan fatin për rreth 4 mijë fitues që u shpallën më vonë.

Dëshira e madhe e shqiptarëve për t’u larguar nga ky vend ilustrohet më së miri me faktin që në ditët e para të hapjes së aplikimeve për lotarinë amerikane dhe në ditët e para kur dalin emrat e personave fitues, faqja e posaçme e Departamentit të Shtetit për këtë sektor del jashtë funksionit, si pasojë e fluksit të madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë