Ngjarje

Më 3 tetor nis Lotaria Amerikane: A do të bjerë më serveri nga fluksi?

Nëse do të kishte një krahasim figurativ me çeljen e aplikimeve për lotarinë amerikane do të qe ai i shqiptarëve që derdheshin nëpër dyert e ambasadave në korrikun e vitit 1990 për t’iu arratisur 'nga sytë këmbët' këtij vendi. Pas 28 vitesh vrulli për të ikur mbetet i njëjti, veçse tani me përparimet e teknologjisë, vrapi drejt dyerve të ambasadave bëhet virtualisht, me aplikime online. Pasi vitin e kaluar shqiptarët thyen rekord  duke plotësuar 189 mijë aplikime për 367 mijë aspirantë për emigrim, duke shkaktuar edhe rënien e serverit për shkak të fluksit të madh, kush  shpreson për një të ardhme më të mirë “për fëmijët” - siç përgjigjen të gjithë ata  që duan të largohen nga Shqipëria - mund ta provojnë fatin në fillim të tetori.

Këtë vit, ka njoftuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë , shqiptarët mund të aplikojnë për Lotarinë e Vizës së Shumëllojshmërisë duke nisur nga ora 6 pasdite të  datës  3 tetor deri pasditen e 6 nëntorit të 2018 –ës. “Vazhdoni të na ndiqni në këtë faqe për të marrë këshilla mbi plotësimin e aplikimit tuaj. “, shkruhet në faqen e Facebook-ut të Ambasadës Amerikane.Ambasada ka njoftuar të  gjithë qytetarët që duan të aplikojnë të bëjnë kujdes nga mashtrimet pasi janë disa  faqe interneti apo e-maile  që përpiqen të mashtrojnë dukeu prezantuar si faqe zyrtare të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

“Aplikantët mund të kryejnë aplikimin elektronik në faqen zyrtare të E-DV, gjatë periudhës së regjistrimit. Udhëzimet e DV janë gjithashtu në dispozicion në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane, ndërsa  duke filluar nga 7 maji 2019, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2020 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së, i cili do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre, ndërsa  të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve.

Megjithëse kishte thuajse dyqind mijë aplikime për 367 mijë aspirantë për të emigruar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishin më pak se 4500 ata shqiptarë që u shpallën fitues të lotarisë. Në Ballkanin të prirë për të emigruar në kërkim të kushteve më të mira ekonomike dhe të jetesës me standarde më të larta, Shqipëria kryeson listën me numrin më të madh të atyre që duan të ikin.

Sipas disa të dhënave të publikuara nga Eurostat, shqiptarët janë azilkërkuesit më të mëdhenj duke mbajtur shifra të larta në raport me popullsinë, por duke lënë pas edhe ata popuj të dëshpëruar që po emigrojnë për t’iu larguar luftës në vendet e tyre. Në 12 muajt e fundit, sipas Eurostat, janë 6.5 banorë në njëmijë që kanë aplikuar për azil në Bashkimin Europian.Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, numri total i aplikimeve për herë të parë nga shqiptarët për azil llogaritet  në 8040.Po sipas statistikave të  Eurostat, në tremujorin e dytë të vitit 2018 aplikuan për herë të parë për azil 3930 persona, apo 3% e totalit të azil kërkuesve në Bashkimin Europian, ndërsa raporton seafro 1 milion aplikime për azil janë ende në pritje.

Në vend të dytë, pas Shqipërisë, për numër të lartë aplikimesh për 1000 banorë renditet Siria me 4.7 aplikime gjatë 12 muajve të fundit, nga ku azilkërkuesit largohen prej luftës drejt vendeve të Bashkimit Europian.  Të tretët renditen gjeorgjianët, ku numri i aplikimeve për azil në 12 muajt e fundit llogaritet 3.9, ndjekur nga Eritrea, ku numri i azilkërkuesve për herë të parë është 3.6 për 1000 banorë.

Megjithëse “Toka e Mundësive”  shpresohet të arrihet me pak fat në hedhjen e lotarisë amerikane, ata që kërkojnë azil ( nuk dihet nëse ata që kërkojnë azil, janë edhe aplikantë të rregullt të Lotarisë Amerikane, të bindur për t’i ikur vendit), kanë si destinacion të parapëlqyer Francën, ku afro 38 përqind  e kërkesave kanë zgjedhur këtë shtet, ndjekur nga Greqia me 20 përqind  (me gjithë krizën që po kalon shteti fqinj duket se shihet  nga shqiptarët se ka më shumë mundësi sesa Shqipëria) dhe në vend të tretë me afro 500 kërkesa renditet Mbretëria e Bashkuar. Për ata që të ardhmen më të mirë “për fëmijët” e shohin përtej Europës, do të duhet të presin çeljen e aplikimeve të lotarisë amerikane, me shpresën se serveri do ta mbajë mbingarkesën dhe vitin që vjen emri i tyre të jetë tek ata pak të përzgjedhur...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë