Motosport

Pas Formulës 1, ‘Liberty Media’ merr në duar edhe MotoGP për 4 miliardë euro

Gazeta Si – Marrëveshja pritet të zyrtarizohet në mes të muajit prill, në garën e motoçiklzmit të Amerikës.

Pasi ka çuar Formulën 1 në nivele planetare të pashkelura më parë, ‘Liberty Media’ është gati të marrë në duar edhe MotoGP, garat me motorë. Akordi është arritur pak javë më parë dhe mendohet se do të bëhet zyrtar në një moment të rëndësishëm, në garën e Austin, e treta e këtij Botërori.

Lajmi është bërë i ditur nga ‘Financial Times’, që saktëson se bëhet fjalë për një operacion prej 4 miliardë eurosh.

Sipas ‘Financial Times’, oferta e ‘Liberty Media’ ka fituar mbi atë të ‘Qatar Sports Investments’, fondit shtetëror katariot të investimeve që ka në pronësi ekipin e futbollit PSG. Marrëveshja ishte e pritshme, pas zërave për daljen në shitje të ‘Dorna’-s (kompania që ka aktualisht të drejtën e transmetimit të garave të motoçiklizmit).

Nëse marrëveshja konkretizohet dhe ‘Liberty Media’ bën ‘dopietë’, ajo do të krijonte një lloj monopoli mbi format më të pasura dhe më prestigjioze të motorsportit botëror. Pas suksesit me 4 rrotat, kjo kompani do të tentojë të njëjtën gjë edhe me dy rrotat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë