Lajme

Pas dorëheqjes, Xhafaj: Erdha për një mision të vështirë

Fatmir Xhafaj ka folur pas dorëheqjes nga  detyra e ministrit të Brendshëm,  e ndërsa e ka quajtur shërbimin për më shumë se një vit në këtë detyrë si mision të vështirë dhe sfidë të madhe, nuk ka detajuar motivet që e çuan t’i paraqiste kryeministrit Edi Rama letrën e dorëheqjes.“Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme”,  është shprehur Xhafaj në mesazhin e tij. “Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve.”

Duke u shprehur krenar për arritjet e deritanishme në krye të ministrisë së Brendshme, Xhafaj ka vijuar “ Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra.”Në fund ai ka falënderuar  ekipin, kolegët, miqtë dhe familjen, “si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe.”Xhafaj ka shprehur gjithashtu vlerësim dhe mirënjohje për forcat e rendit, “ Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë