Ekspozite

Pas 6 vitesh në detyrë dorëhiqet drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi

Nga Gazeta Si - Dorian Koçi nuk është më drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Këtë të shtunë ai ka dhënë dorëheqjen.

Historiani Koçi ka lënë detyrën në këtë institucion për të filluar një tjetër rrugëtim pranë Akademisë së Shkencave.

Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ka vlerësuar punën dhe bashkëpunimin me të.

“Bashkëpunëtori ynë prej vitesh mbyll një kapitull profesional, për të nisur një të ri. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi lë detyrën në krye të këtij institucioni, për të filluar një tjetër rrugëtim pranë Akademisë së Shkencave. Falënderime për punën e përkushtuar gjatë viteve të vështira, që nga tërmeti, te pandemia e rikonstruksioni i MHK dhe suksese në detyrën e re”, shkruan Margariti.

Me mandat të përfunduar prej shkurtit të vitit 2022, studiuesi Dorian Koci ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Muzeut Kombëtar, ndërsa mësohet se është emëruar Shef i Marrëdhënieve me Jashtë në Akademinë e Shkencave.

Ndërkohë, institucioni që është në proces ndërhyrjesh restauruese do të menaxhohet nga Entela Çipa, si drejtore e komanduar.

Koçi u emërua në këtë post në shkurt të vitit 2017, dhe ishte i pazgjedhur me konkurs, por i komanduar pas shkarkimit të ish-drejtorit Melsi Labi.

Pas gjashtë vitesh në krye të Muzeut Kombëtar, institucioni muzeor më i madh në Shqipëri, Dorian Koçi ishte një nga aplikantët që rikandidoi në thirrjen e hapur nga Ministria e Kulturës.

Ndonëse thirrja u mbyll në 26 janar, asnjë nga kandidatët nuk ka plotësuar kriteret e nevojshme për të qenë në krye të Muzeut.

Ndër kriteret e kërkuara për kandidatët ishin “5 vite përvojë pune në drejtim dhe eksperiencë në fushën e trashëgimisë kulturore, master shkencor në shkenca shoqërore si dhe të njihte problematikat e muzeologjisë. Ndërsa ndër objektivat e kërkuara sa i përket administrimit, krahas koordinimit të veprimtarive dhe stafit, ishte edhe ndërtimi i një plani të qartë buxhetor dhe rritja e të ardhurave”.

Aktualisht nuk ka një plan të afërt për rihapjen e thirrjes për drejtor Muzeu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë