Motosport

Pas 43 vitesh dhe 739 garash, Williams largohet nga Formula 1

Gara e Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1 do të jetë e fundit për familjen Williams, pas 43 vitesh dhe 739 garash. Fillimisht ka qenë Sir Frank Williams e më pas vajza e tij Claire ata që kanë drejtuar skuadrën britanike. Gara e parë daton më 8 maj 1977, në pistën spanjolle të Jarama.

Skuderia ka patur mjaft momente të suksesshme në Formula 1, duke fituar 114 çmime të mëdha, 128 “pole position” dhe 133 xhiro të shpejta në histori. Williams ka fituar 9 tituj kampionë për konstruktorë dhe 7 për pilotë. Është marka e tretë më jetëgjatë në historinë e Formula 1.

Pak ditë pasi zyrtarizuan shitjen 100% të kuotave të tyre te shoqëria amerikane Dorilton Capital, familja Williams mori vendimin për t’u larguar përgjithnjë nga ky sport. “Tashmë që e ardhmja e skuadrës është në duar të sigurta është momenti i duhur për t’u larguar nga ky sport. Si familje, ne gjithmonë i kemi dhënë përparësi Williams, siç është demonstruar me procesin e fundit të rishikimit strategjik, dhe ne besojmë se është koha e duhur për të dorëzuar frenat dhe për t'u dhënë pronarëve të rinj mundësinë për të drejtuar ekipin. Ne kemi qenë në sport për më shumë se dyzet vjet dhe jemi shumë krenarë për historikun tonë dhe trashëgiminë që lamë pas. Formula 1 ka qenë jeta jonë për shumë vite, kështu që ky nuk është një vendim i marrë lehtë, tani do të nisim një kapitull të ri”, tha Claire Williams.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë