Futboll

Partizani zyrtarizon ndarjen me trajnerin Kolela, italiani kërkoi dorëheqjen

Gazeta Si – Xhovani Kolela nuk është më trajner i Partizanit. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga vetë klubi i kuq me një njoftim, ku saktëson se italiani kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Ishte një lajm që pritej në fakt, duke parë zhvillimet e fundit në kampin e kuq, ku pak ditë më parë u largua edhe drejtori sportiv Elton Marini.

‘Partizani njofton mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Xhovani Kolela, i cili sot i ka prezantuar dorëheqjen e parevokueshme presidentit Demi. Trajneri largohet nga Partizani pas nje viti të suksesshëm, ku arriti së bashku me skuadrën objektivin madhor, titullin kampion.

E falënderojmë për kontributin “mister” Kolelën, që largohet nga Shqipëria si trajneri kampion, dhe i bëjmë me dije se dera e Partizanit do mbetet e hapur për bashkëpunime të tjera në të ardhmen”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të Partizanit.

Tani pritet të mësohet se cili do të jetë trajneri i ri i Partizanit, ku po flitet për ndryshime rrënjësore në strukturën drejtuese të klubit. Ditët e fundit janë përmendur emrat e ish-lojtarëve të Kombëtares, si Adrian Aliaj dhe Florian Myrtaj. Trajneri pritet të vijë nga Kroacia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë