Drejtësia

Shtyhet sërish seanca për Berishën, GJKKO i jep kohë 2 avokateve të paguara nga shteti të njihen me dosjen

Gazeta Si - Shtyhet sërish seanca në GJKKO për ish-kryeministrin Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e klubit sportiv "Partizani".

Dy avokatet e paguara nga shteti, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, të caktuara pak para nisjes së seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, kanë kërkuar kohë që njihen me dosjen. Kështu, GJKKO njoftoi orarin e ri për nisjen e seancës, që është ora 15:00 e kësaj të enjteje.

"Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e thirrur për caktim kryesisht nga gjykata, av.Jalldiz Kastrati dhe av.Rabije Cenalia. Nga ana e gjykatës, iu la kohë mbrojtësve për tu njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe për këtë arsye ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, për të rifilluar diten e sotme, në orën 15.00", - thuhet në njoftimin e GJKKO-së.

Një prej avokateve të caktuara, Jalldiz Kastrati, ka qenë kandidate për deputete e Partisë së Lirisë në zgjedhjet parlamentar të 2021-shit për qarkun e Shkodrës.

Ish-kryeministri Berisha është lënë në detyrim paraqitje dhe ndalim për dalje jashtë shtetit, pasi hetohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Një ditë më parë, avokatët e tij u larguan nga seanca me argumentin se Gjykata ka rrëzuar disa kërkesa që ata kanë bërë, përfshirë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe mospranimin e kërkesës për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e vendimit për masën "detyrim paraqitje" për ish-kryeministrin.

Në kushtet që 2 avokatët e zgjedhur nga ana e ish-kryeministrit, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj u larguan nga salla e gjyqit, gjykata vendosi të caktojë kryesisht avokatin Artan Simoni, anëtar i Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, në mbrojtje të interesave të ligjshme Berishës, i cili qëndroi në këtë rol vetëm për pak orë.

Kjo për shkak të disa postimeve në rrjetin social “Facebook” të avokatit Artan Simoni, të cilat u konsideruan të njëanshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë